Mjeku Genc Sulçebe i ftuar sot në “Abc-ja e mëngjesit” tha ndër të tjera se është e nevojshme vaksinimi në masë për të parandaluar infeksionet dhe se nuk duhet të presim për imunitetin kolektiv natyral. Sipas tij, polemikat mbi përdorimin e vaksinave nuk duhet të ekzistojnë për sa kohë ata janë aprovuar për përdorim.
“Nuk është një problem profesional apo shkencor, është një problem që ka të bëjë me biznesin dhe politik. Për vaksinimin ka të bëjë shumë gjerësia dhe shpejtësia e realizimit të vaksinës për ta ndaluar dhe ngadalësuar infeksionin. Nuk mund të presim imunitetin natyral, duhet të veprojmë nëpërmjet vaksinës dhe sa më shpejt dhe sa më gjerë të veprojmë aq më mirë është dhe nuk duhet të kemi pretendime për vaksinën.
Duhet që të gjitha vaksinat që janë aprovuar të aplikohen dhe tek ne. Në skenë dalin shumë prodhues. Mendoj se nuk jemi të detyruar të presim aprovimin e EMA-s sepse nuk jemi pjesë e BE-së. Nëse një vaksinë është e aprovuar në një vend të madh dhe përdoret gjerësisht, atëherë nuk kemi pse të mos e aplikojmë neve.
Vaksina në fund të fundit nuk ka dëme, vetëm nxit imunitetin të cilin ne nuk duhet ta presim ta nxisim me infeksion. Duam ta prodhojmë në mënyrë artificiale, nuk kemi pse të jemi skeptik nga vaksinat sepse janë vetëm një nxitje pozitive për arritjen e imunitetit kolektiv.” tha ai. /abcnews.al