VIDEO/ Asist dhe gol i Qoses në Çeki, Eduart Rroca protagonist në humbje

schedule20:18 - 6 Shkurt, 2021

schedule 20:18 - 6 Shkurt, 2021

Fundjavë fantastike për Kristi Qosen në Çeki, teksa Eduart Rroca konfirmon formën e shkëlqyer që po kalon tek Istanbulspor. Mesfushori korçar, pjesë e Karvina prej shkurtit të vitit të kaluar, dhuroi një asist dhe gjeti golin në takimin e ditës së sotme.

Karvina fitoi 3-1 në fushën e vet përballë Opava dhe renditet në vend të 11-të në 1. Liga. Qose dhuroi asistin e golit të dytë të ekipit të tij. Ishte minuta e 70-të kur lojtari shqiptar dhuroi një krosim të bukur, që u kthye në gol nga braziliani Rafael Tavares Dos Santos.

Vendasit fituan një penallti në minutën e 82-të dhe ekzekutimin e mori përsipër Qose. Topi në rrjetë, teksa ky ishte goli i pestë në kampionat për 25-vjeçarin, i cili është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij.

Eduart Rroca dhuroi një tjetër asist. Istanbulspor u befasua 2-3 në shtëpi nga Umraniyespor, duke humbur tre pikë të rëndësishme në objektivin për t’u ngjitur në elitën e futbollit turk.

Rroca dhe Valon Ethemi (77 minuta aktivizim dhe goditje shtylle nga ana e 23-vjeçarit) e nisën si titullarë, ndërsa Kristal Abazaj u fut në fushë në mesin e pjesës së dytë për Istanbulspor.

Rroca dhuroi asistin e golit të parë të Istanbulspor në minutën e 50-të. I nënti sezonal për 27-vjeçarin, teksa askush nuk ia ka dalë të dhurojë më shumë asiste se lojtari nga Librazhdi. /abcnews.al