Irani paralajmëron SHBA-të dhe Izraelin

schedule22:20 - 22 Gusht, 2018

schedule 22:20 - 22 Gusht, 2018

Irani i është përgjigjur paralajmërimeve të Uashingtonit se do të shkojë përtej sanksioneve financiare, duke deklaruar se do të reagojë ushtarakisht ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nëse sulmohet.

Irani ka paralajmëruar të mërkurën Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se do të përgjigjet në rast se sulmohet prej tyre. Reagimi i Teheranit ka ardhur pasi këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton deklaroi se Uashingtoni do të rrisë presionin ndaj Republikës Islamike duke shkuar përtej sanksioneve ekonomike.

Lufta e retorikave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka nisur që kur Trump tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si katastrofike dhe më të keqen në histori.

“Nuk ka asnjë dyshim që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që kjo çështje të zgjidhet në rrugë paqësore, por ne jemi të përgatitur për çdo rrethanë që mund të krijohet nga Irani”, tha Bolton gjatë një vizite në Izrael.

Republika Islamike është ndjerë e sfiduar nga kjo deklaratë dhe reagimi i saj nuk ka vonuar. Kleriku Ahmad Khatami, njeri i afërt me liderin suprem Ali Khamenei, ka deklaruar se Amerika e di fuqinë ushtarake të Iranit, ndaj dhe nuk e sulmon.

“Çmimi i një lufte me Iranin është shumë i shtrenjtë për Amerikën. Ata e dinë mirë se nëse dëmtojnë këtë vend Shtetet e Bashkuara dhe aleati i tyre në rajon do të jenë në shënjestër”, ka deklaruar kleriku Ahmad Khatami.

Më herët, Garda Revolucionare iraniane deklaroi se mund të godasë qytetet e Izraelit me raketa nëse Irani ndihet i kërcënuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!