Rama ballë për ballë Bashës, Meta: Në fokus stërvitja ushtarake amerikane

schedule17:32 - 3 Shkurt, 2021

schedule 17:32 - 3 Shkurt, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryeministrin Edi Rama, Lulzim Bashën dhe ambasadoren e SHBA-së. Presidenca njofton se Meta thirri një Mbledhje të Zyrtarëve të Lartë të Sigurisë Kombëtare, për të diskutuar mbi masat përgatitore në lidhje me fazën përmbyllëse të stërvitjes me trupa, të koduar ”Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajon, përfshirë Shqipërinë, nga data 1 maj deri më 14 qershor 2021.

Të pranishëm në takim ishin Kryeministri, Edi Rama, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, anëtarë të qeverisë dhe titullarë të agjencive ligjzbatuese e të sigurisë në vend. E pranishme ishte edhe  ambasadorja amerikane Yuri Kim, si dhe drejtues të lartë të Ushtrisë Amerikane në Evropë.

Stërvitja me trupa “Defender Europe 21” drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Për nga numri i pjesëmarrjes së trupave ajo është stërvitja më e madhe në të cilën përfshihen edhe trupat e Forcave tona të Armatosura.

Në këtë stërvitje do të marrin pjesë trupa nga 26 vende aleate. ”Defender Europe 21” do të shtrihet në disa vende të rajonit tonë. Qëllimi i takimit, ishte koordinimi i masave paraprake, me objektiv që faza përmbyllëse e kësaj stërvitje të madhe të realizohet me sukses.

Në mbledhje, Meta falenderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit e saj në Tiranë, për mbështetjen për vendin tonë në të gjitha aspektet e veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

“NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni europian i Shqiptarëve”, – tha Meta.

Meta theksoi edhe rëndësinë dhe impaktin e madh, që stërvitja, do të ketë në rritjen e aftësisë ndërvepruese mes strukturave ushtarake të vendeve të ndryshme aleate, si dhe në forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!