Sot besimtarët myslimanë në gjithë botën festojnë Kurban Bajramin, një ditë e shënuar në kalendarin islam.
Dita nisi me faljen e namazit, e cila u zhvillua në sheshin Skënderbej, për herë të parë që pas rikonstruksionit të këtij sheshi në qendër të Tiranës.
Besimtarët janë mbledhur në shesh rreth orës 05:30 duke nisur namazin e sabahut dhe më pas me leximin e Kuranit dhe fjalën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj deri në orën 07:00 kur është falur namazi i Bajramit.
Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj gjatë faljes së namazit ka bërë thirrje për më shumë dashuri, mëshirë dhe bujari që shoqëria të mos përjetojë vuajtje dhe tragjedi.
Simbolikë e kësaj dite është prerja e kurbanit, akti i flijimit, që sipas rregullit duhet ndarë me persona të tjerë në nevojë. Kurban Bajrami njihet si festa e sakrificës, përkushtimit ndaj Zotit, por edhe ndaj solidaritetit për të afërmit e personat më në nevojë. Dita vazhdon me vizita familjare e tek miqtë për të përcjellë urimet e kësaj dite, si dhe me dreka të bollshme festive.
Edhe në qytete të tjera të vendit, mijëra besimtarë myslimanë sot në mëngjes falën namazin e Kurban Bajramit.
Ceremontë janë kryer në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave, ndërsa drejtues të myftinive, teologë e imamë kanë mbajtur fjalimet e rastit. Festa e Kurban Bajramit është një ngjarje e shënuar për fenë islame, dita që i afron besimtarët më pranë Allahut dhe që rrit paqen solidaritetin dhe harmoninë. Myftinitë organizojnë pritje për autoritetet lokale dhe për drejtues të besimeve të tjera fetare në të gjithë vendin./abcnews.al