Kurban Bajrami është festuar edhe në Kosovë. Manifestimi qendror është mbajtur në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë. Namazi u fal në orën 05.40 minuta ku mijëra besimtarë u bënë bashkë në lutje për paqe dhe mirësi në çdo familje.
Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër edhe të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava. Para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, ndërsa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.
Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të ri. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës”, ka thënë myftiu i Kosovës Naim Tërnava.
Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.
I pari që i shkoi në vizitë myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në pritjen e organizuar Komunitetin Mysliman me rastin e Festës së Kurban Bajramit ishte Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji. Në komunitetin mysliman të Kosovës parakaluan edhe disa prej figurave kryesore politike në vend.
/abcnews.al/


