Partia Demokratike prezantoi sot programin për Shëndetësinë, i cili do të vihet në zbatim nëse dalin fitues nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sipas Mirela Tabakut, eksperte e Shëndetësisë në PD, ky program është hartuar ndër vite nga ekspertë të fushave të ndryshme.
Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Tabaku tha se ky plan është i zbatueshëm dhe se është hartuar duke marrë parasysh kushtet shqiptare.
“Ky është program i përgatitur nga një grup ekspertësh nga disa fusha që të jetë një program gjithëpërfshirës. Mbi të gjitha të jetë i zbatueshëm për popullatën dhe kushtet shqiptare. Program i punuar në vite, numri i ekspertëve shumë i madh, ekonomi financë.”
E pyetur se është e realizueshme rritja e pagave për personelet mjekësore dhe se nga do t’i gjejë paratë në buxhet PD për të realizuar premtimet, Tabaku tha se çdo gjë është e menduar.
“Janë marrë parasysh problematikat që ka pasur sistemi, pritshmërisë së popullatës e të bluzave të bardha e vizionin evropian, sa i përket zhvillimeve në sektorin e shëndetësisë. Kur janë anketuar mjekë e infermierë në vite, është parë që dy kanë qenë arsyet kryesore, pagat dhe kushtet e punës. Kjo ka qenë një nga fokuset ku ka punuar grupi i ekspertëve. Janë të realizueshme. Janë bërë kalkulime që çdo gjë të jetë e mundshme në mundësinë e ekonomisë shqiptare.”
Sipas saj, burimet e të ardhurave do të vijnë nga disa grupe, ku përmendi edhe anulimin e kontratave koncesionare që sipas saj janë parë që nuk kanë eficencën e duhur.
“Pagesat, janë ndër pagesat e pranueshme, të krahasueshme me vendet e rajonit… Specializantët. janë ai grup që kanë mbaruar studimet dhe duan të specializohen në një fushë të caktuar. Një grup paguhen nga ministria e Shëndetësisë, një grup nuk paguhet. Ata mbajnë një barrë të madhe në pandemi ruajtën një rol shumë të rëndësishëm. Ky është një stimul pozitiv që të përgatiten më mirë në të ardhmen.”
Ndërsa, hapja e një universiteti të ri të mjekësisë shtoi Mirela Tabaku është e nevojshme për të rritur numrin e burimeve njerëzore në sistem.
Buxheti për shëndetësinë do të jetë më i lartë, tha Tabaku edhe pse nuk dha një shifër konkrete.
“Nuk mund ta them këtë shifër, sepse është një kalkulim që do të bëhet në vazhdim. Por natyrisht që do të rritet.” s.b/abcnews.al/