Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli u pyet nga gazetarët lidhur me foton ku ajo shfaqej në mbledhje partie pa ruajtur distancën në shkelje të masave të hartuar nga vetë ajo si kryetare e komitetit të Ekspertëve. Ajo fillimisht nuk u përgjigj duke përsëritur apelin e vazhdueshëm për zbatimin e masave duke vendosur maskat dhe duke ruajtur distancën sociale.
Por pas insistimit të gazetarëve, Rakacolli u shpreh se në mbledhjen ku ajo mori pjesë nuk kanë qenë më shumë se 14 persona, duke theksuar se fotoja është shkrepur në një moment kur disa po dilnin dhe disa po futeshin duke bërë të duken si shumë njerëz. Ajo tha se ka reaguar gjatë kohës kur ka qenë në mbledhje duke i tërhequr vëmendjen të pranishmëve. Lidhur me shkeljet e publikuara në rrjet nga personazhe publike si Ermal Mamaqi, zv/ministrja tha se policia ka vendosur gjoba.
“Ne i kemi thënë masat që duhen zbatuar dhe strukturat që janë përgjegjës për masat është policia. Nuk mundet që të mbahet zbatimi i masave vetëm nga kontrollet. Fakti që njerëzit nuk i respektojnë masat është nga mungesa e një ndërgjegjësimi. Media duhet të fokusohet më tepër tek ata që nuk i respektojnë masat. Vetëm ashtu me ndërgjegjësim mundet që njerëzit të vendosin maskat.
Kjo është një gjë që duhet vendosur në vëmendje. Ajo ka qenë një incident i izoluar. Ju e patë që nuk janë më shumë se 14 veta. Foto është marrë në fund të takimit kur po vinin edhe të tjerë. Ajo ishte një foto dhe nuk mbetet për të shpjeguar gjë tjetër. Sa filloi aktiviteti ishin më pak veta. Kur e kam vënë re kam reaguar vetë aty pa dalë foto akoma. Lidhur me aktivitetin e Ermal Mamaqit, në dijeninë time policia ka vendosur gjoba“, tha Rakacolli./mv.abcnews.al