Hetuesit në Turqi po hetojnë lidhur me të shtënat me armë zjarri ndaj ambasadës amerikane në Ankara. Hetuesit njoftuan se nuk kanë arritur ende të identifikojnë autorët.
Autoritetet e Turqisë vijojnë hetimet për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së hënës, e cila rriti dhe më tej tensionet mes Ankarasë dhe Uashingtonit. Zyra e guvernatorit në Ankara njoftoi se autori apo autorët e të shtënave ndaj ambasadës amerikane nuk janë identifikuar ende.
Selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara është mbyllur mesditën e së hënës dhe do të qëndrojë kështu deri në fund të javës për shkak të festës zyrtare të Kurban Bajramit.
Gjatë orës 05:00 të mëngjesit, nga një makinë në lëvizje është qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të ambasadës amerikane në kryeqytetin turk. Fatmirësisht nga sulmi nuk ka asnjë person të lënduar. Sipas dëshmitarëve, plumbat u qëlluan nga një makinë e bardhë, e cila kaloi me shpejtësi të lartë.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku mori provat e nevojshme dhe nisi punën për gjetjen e makinës dhe kapjen e autorëve. Sulmi drejt ambasadës amerikane vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Turqisë jane ne kulmin e tensionit.
Kjo edhe pas arrestimit të pastorit amerikan Andrew Brunson në Turqi. Brunson akuzohet se ka ndihmuar përpjekjet për grusht shteti në vitin 2016 dhe rrezikon të përballet me 35 vjet burg.
Nga ana e tyre, SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj ministrit turk të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm, ndërsa presidenti Trump ka nxitur tarifat për importin e aluminit dhe çelikut në vend.