Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kreun e Komunës së Mitrovisës, Agim Bahtiri, takim gjatë të cilit ky i fundit ka shprehur shqetësimin se përpjekjet e Beogradit për aneksimin e Mitrovicës dhe copëtimin e Kosovës , janë kërcënim i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë takimit me kreun e komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, pasi shprehu mirënjohje për kontributin e kryekomunarit të Mitrovicës në përballimin me sukses të presioneve të shumëllojta, vlerësoi qëndrimin e tij kundër projektit dashakeq të Serbisë së Madhe, që fatkeqësisht ka siguruar ndihmën e agregatëve të vet në Prishtinë, sipas Berishës, duke iu referuar këtu Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
“Mitrovica nuk ka qenë kurrë e Serbisë përveçse në hartën e Serbisë së Madhe. Në të gjitha rezolutat e OKB, aktet ndërkombëtare, marrëveshjet e Rambujesë, Kumanovës, dokumentin Ahtisari, aktin e pavarësisë, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe 115 njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, Mitrovica është territor i Kosovës”.
Berisha theksoi se kufijtë e Kosovës nuk janë vënë kurrë në diskutim dhe nuk kanë kërkuar kurrë ndryshim, apo shkëmbim territoresh, përveç atyre që quan “serbomëdhenjtë e Beogradit”.
“Në Kosovë ekzistojnë standardet më të larta të garantimit të të drejtave të minoriteteve. Por një grusht banditësh, kriminelësh me lidhje të fuqishme me mafian serboshqiptare, mbahen në këmbë në veriun e Mitrovicës për qëllime kontrabande dhe trafiqeve të drogës, armëve etj”.
Duke e konsideruar tezën e hedhur për korrigjim kufijsh si tentative për hapjen e kutisë së Pandorës, që rrezikon paqen e brishtë të gjithë rajonit Sali berisha theksoi nevojën jetike që vendet tona kanë për paqe, nën rrezikun e një serie konfliktesh që sipas tij do jenë shumë më të egra se të parat. /abcnews.al