Qarkullimi drejt Durrësit dhe brenda qytetit në kaos

schedule13:50 - 18 Gusht, 2018

schedule 13:50 - 18 Gusht, 2018

Pushuesit e shumtë që vërshojnë fundjavave në plazhet e Durrësit kanë bërë që rrugët drejt këtij qyteti, por edhe brenda tij të bllokohen. Lëvizja e mjeteve bëhet me vështirësi dhe për udhëtarët është rraskapitëse.

Lëvizin për t’u relaksuar, por trafiku i rënduar gjatë udhëtimit kthehet në një sfidë dhe lodhje per përdoruesit e rrugës. Në segmentet që lidhin zonat turistike në Durrës, levizja kryesisht në fundjavë është rraskapitëse. Radhë të gjata kilometrike dhe bllokime në rrugë. Përballë dynjes së madhe të automjeteve policia rrugore, e cila që prej fillimit të sezonit ka kaluar në shërbim të përforcuar, këshillon përdoruesit e rrugës. Shefi i qarkullit Durrës thotë se drejtuesit gjatë fundjavës duhet të bëjnë kujdes më orarin kur nisin udhëtimin. Ata duhet të përdorin autostradat më shumë se sa rrugët dytësore për të shmangur radhët e gjata.

Valentin Floriri, shefi i qarkullimit Durrës: “Të shtunën dhe të dielën mund të zgjedhin rrugë alternative, sidomos në kulmin e trafikut siç është pasdite në kthim.”

Rrugët më problematike me dyndjen më të madhe të automjeteve mbeten Maminas-Gjiri i Lalësit dhe anasjellat, rruga dytësore Plepa-Golem, si dhe rruga e plazhit. Këto segmente policia apelon të shmangen, duke këshilluar përdorimin e rrugëve alternative siç është autostrada Durrës-Kavajë, Unaza e Shkozetit apo edhe rruga e vjetër Manëz-Sukth, për automjetet që lëvizin nga Gjiri i Lalësit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!