Vuçiç paralajmëroi vizitë në Kosovë më 9 shtator

schedule16:42 - 17 Gusht, 2018

schedule 16:42 - 17 Gusht, 2018

Presidenti i Serbisë ka bërë me dije se me 9 shtator do të zhvillojë një vizitë në Kosovë. Lista Serbe njofton se në atë vizitë ai do të prezantojë planin për Kosovën. Nga ana tjetër autoritetet në Prishtinë thonë se nuk kanë marrë kërkesë për vizitë nga Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se nëse gjithçka është në rregull më 9 shtator do të vizitojë Kosovën. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç thotë se Presidenti serb do të udhëtojë për në Kosovë në shtator dhe do të shprehë qëndrimin e tij mbi çështjen e Kosovës. Disa media të Beogradit shkruajnë se Vuçiç do të publikojë detajet e planit shtetëror për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pikërisht më 9 shtator. Rakiq tha për televizionin “Pink” se Vuçiç gjithnjë është konsultuar me ta, duke shtuar se tani po përpiqet të sigurojë që çështja e Kosovës të zgjidhet në mënyrë që serbët në Kosovë të mund të sigurojnë jetë dhe siguri më të mirë.

Pavarësisht paralajmërimit për vizitë zyrtare, deri më tani presidenti serb nuk ka bërë kërkesë për të hyrë në Kosovë. Kjo është konfirmuar nga ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli për mediat kosovare. Ministri Pacolli tha se janë duke e trajtuar këtë situatë edhe pse nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Serbia që Presidentit serb t’i lejohet hyrja në Kosovë.

Ende nuk dihet se si do të veprojë Pacolli, duke marrë parasysh se disa javë më parë, autoritetet serbe i refuzuan kërkesën për të hyrë në Serbi, më konkretisht vizitën në Novi Pazar. Për këtë ministri i jashtëm i Kosovës tha se do të ketë reciprocitet. Gjë e cila paralajmëron për një refuzim të mundshëm të kërkesë së Vuçiç për të hyrë në territorin e Kosovës. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!