Ende mister mbi vdekjen e ish-ministrit grek Sifis Valyrakis, që u gjet pa jetë në mes të detit pasditen e së dielës duke mos u kthyer gjallë nga peshkimi. E ndërsa gruaja e tij ngriti dyshime se rënia e tij nga varka nuk ishte aksidentale por mund të jetë vrarë, avokati i ish-ministrit u shpreh se ka dëshmi të banorëve të zonës që kanë parë një varkë tjetër t’i afrohej asaj të Valyrakis dhe mes dy palëve ka pasur debat.
“Ai debatoi me dikë në një anije peshkimi. Disa njerëz më thanë gjërat që kishin parë dhe unë i nxita që ti dëshmojnë përpara autoriteteve. Një dëshmitar okular e pa incidentin nga një distancë prej 500 metrash, por pa qenë në gjendje të identifikojmë saktësisht anijen e peshkimit që shkaktoi aksidentin. Nuk ka gjasa që ai të jetë goditur nga helika e tij” tha avokati. (Shiko këtu skemën 3D).
Valyrakis gjatë juntës ushtarake në Greqi, iu bashkua rezistencës, por përfundoi i arrestuar në 1971 duke e torturuar. Ai arriti të arratisej nga burgu, madje duke hipur mbi një tren tentoi të largohet për në Jugosllavi, por nuk ia doli pasi u kap në kufi.
Në rastin e dytë, ai vuante dënimin në burgun e Korfuzit dhe edhe nga aty mundi të arratisej po në 1971. Valyrakis notoi nga Korfuzi deri në Sarandë, ku e kapi patrulla kufitare shqiptare edhe pse erdhi për të kërkuar strehim në Shqipërinë e Enver Hoxhës.
78 vjeçari ishte dënuar me tre vite internim nga një Gjykatë në Sarandë, teksa prej tyre 18 muaj i kaloi në kampin e Fierit. Me ndryshimin e pushtetit në Greqi, Shqipëria komuniste ndryshoi qasje dhe e liroi Sifi Valyrakisin duke e larguar më pas drejt Romës.
”Nuk harroj dhimbjen e urisë, bukën me tallash, dhimbjen e të ftohtit të zhytur në baltën e dimrit, nxehtësinë e padurueshme nën tabelën e azbestit të valëzuar të çatisë së kampit shqiptar në verë”, është shprehur Valyrakis në kujtimet e tij mbi të shkuarën e dhimbshme./ db/Abcnews.al