Skënderbeu përballet nesër me Apoloninë në Korçë dhe objektivi i vetëm i skuadrës së Julian Ahmatajt janë tre pikët. Elbasanasi ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme dhe flet në lidhje me përballjen me fierakët dhe jo vetëm.
“Ndeshjet vlejnë shumë për ne, të gjitha i kemi finale. Po luajmë mirë, por duhet stabilitet. Nuk ka specifikë ndeshja me Apoloninë apo me të tjera, të gjitha janë finale. Kështu mendojmë ta trajtojmë situatën”, tha Ahmataj, i cili kërkon përqendrim nga skuadra e tij.
“Nuk jemi të kënaqur, morëm një pikë në Laç ndaj një ekipi të mirë. Duhet të rritemi edhe më shumë, të jemi konkurrues me të gjithë. Duhet përqendrim gjatë 90 minutave. Nuk ka inerci në futboll, nuk fitohet se ke fituar ndeshjen përpara. Duhet bërë maksimumi. Në fund merr atë që jep në fushën e lojës. Duhet të jemi agresivë dhe të përqendruar, të vlerësojmë çdo situatë”
“Jemi të mobilizuar para ndeshjes me Apoloninë. Korça e meriton të ketë një ekip me nivel më të lartë. Nuk do të kemi Shalën sërish. U kthye në stërvitje prej 10 ditësh, por ka ndjerë lidhje dhe nuk mund të japim asnjë konkluzion. U takon mjekëve të thonë fjalën e tyre. Taipi nuk është për shkak kartonësh, pjesa tjetër janë gati. Konkurrenca në ekip është rritur dhe kushdo që luan do tregojë veten”, u shpreh Ahmataj. /abcnews.al