Monolog nga Erion Kristo
A e dini kush është mafia më e madhe në vend, më e frikshmja dhe më e strukturuara? Mafia e ushqimit. Nuk do ju besohet, po janë dhjetëra njerëz që dalin nga shtëpia çdo mëngjes dhe shkojnë në punë. Puna e tyre është të ndryshojnë datat e skadencave të mallrave ushqimore që vijnë nga jashtë.
Po këta nuk janë vetëm. Kanë plot miq të tjerë që falsifikojnë ushqime duke u ndryshuar ambalazhet. Po ka dhe ustallarë që i blejnë ato me të lirë për të fituar tenderë gjithandej. Ka dhe bujq të paditur që prodhojnë me hormone dhe fertilizantë.
Po ju këto i dini. Ajo që nuk dini është se sa njerëz janë dënuar për këtë gjenocid, për këtë terrorizëm ushqimor? Deri dje quhej thjesht kundravajtje. Termi ka rëndësi. Duhet të dimë se çfarë fusim në gojë. Rëndom shitësit të thonë: Ky mall nuk bën për ty?
Po për kë bën? Për kaqolët dhe syleshët e tjerë? Për skllevërit? A e dini se çfarë ndodh kur vjen ndonjë anije? Asgjë. Ajo kalon. Historitë që tregohen janë të frikshme. Herë pas here ato dalin në dritë. Na tronditin për disa ditë dhe harrohen. Dhe ne e paguajmë në kokat tona çmimin e harresës.