Liverpool po kalon një moment të vështirë dhe ndaj Burnley regjistroi takimin e pestë radhazi pa fitore në kampionat. Humbja 0-1 në “Anfield” e mbrëmjes së kaluar e ka çuar në 6 pikë diferencën me kreun e renditjes.
Kampionët në fuqi të Anglisë po vuajnë për të shënuar, teksa Dietmar Hamann, ish-mesfushori i njohur i “The Reds” kritikon Thiago Alcantara në prononcimin e dhënë për talkSport.
“Fatkeqësisht, Thiago Alcantara e ngadalëson lojën e Liverpool, që ka luajtur gjithmonë me mesfushorë të aftë në rikuperimin e topave, për t’u nisur më pas shumë shpejt drejt portës kundërshtare.
Ata merrnin topin dhe e pasonin menjëherë për Mane dhe Salah. Nuk po ndodh më një gjë e tillë. Të gjithë ishin entuziastë për ardhjen e Thiagos, por ai mezi po luan. Sigurisht që është një futbollist i mirë dhe i aftë.
Por, te Bayern Munchen nuk ka pasur kurrë një moment kur njerëzit kanë thënë: Oh, Thiago është më i miri i skuadrës. Ai ka një stil loje të ndryshëm nga stili i Liverpool. I pëlqen të mbajë topin, por Liverpool është më i fortë kur topin e ka kundështari.
Dua të tregohem i kujdesshëm në deklaratat e mia, kështu që po them se spanjolli nuk është futbollisti ideal për skuadrën e Klopp. Të shohim nëse do ia dalë të ndryshojë dinamikën e lojës“, deklaron ish-mesfushori gjerman. /abcnews.al