Hungaria bëhet vendi i parë i BE-së që miraton vaksinën Sputnik V të Rusisë

schedule15:56 - 21 Janar, 2021

schedule 15:56 - 21 Janar, 2021

Autoriteti farmaceutik hungarez ka miratuar të dy vaksinat Oxford /AstraZeneca dhe Sputnik V të Rusisë për koronavirusin. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë hungareze për CNN.

Kështu, Hungaria bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që miraton të dy vaksinat, por për sa i përket vaksinës Oxford / AstraZeneca, qeveria njoftoi se duhet të presë një vendim nga Agjencia Evropiane e Barnave para se të mund ta shpërndajë.

Duke folur për Sputnik, zëdhënësi tha se bisedimet me Moskën për të blerë vaksinën ishin “në vazhdim”.

“Shpresojmë që vaksinat të jenë në dispozicion në Hungari nga sa më shumë vende dhe në sasi sa më të mëdha të jetë e mundur”, shtoi zëdhënësi.

Në një deklaratë, fondi sovran i pasurisë së Rusisë (RDIF) tha se Instituti Kombëtar i Farmacisë dhe Ushqimit miratoi vaksinën nën procedurën e autorizimit të përdorimit emergjent.

“Miratimi bazohet në rezultatet e testeve klinike të bëra për Sputnik V në Rusi dhe një vlerësim gjithëpërfshirës të vaksinës nga ekspertë në Hungari,” njoftoi Instituti në një deklaratë.

Kirill Dmitriev, drejtuesi i RDIF, tha se Hungaria është “vendi i parë i BE që kupton të gjitha avantazhet e vaksinës Sputnik V dhe e autorizon për përdorim. Ky vendim është shumë i rëndësishëm pasi tregon se siguria dhe efikasiteti i vaksinës prej mbi 90% janë shumë të vlerësuar nga partnerët tanë në Hungari.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!