Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Intervista/ Fukuyama: Prisni më shumë dhunë para se Amerika t’i rikthehet normalitetit

schedule18:00 - 20 Janar, 2021

schedule 18:00 - 20 Janar, 2021

Foreign Policy

Ndoshta asnjë ide nuk është diskutuar – dhe diskutohet ende-aq shumë që nga fundi i Luftës së Ftohtë sesa koncepti i Francis Fukuyama mbi “fundin e historisë”. Në një ese të vitit 1989, filozofi politik i Universitetit të Stenfordit argumentoi se me shembjen e komunizmit, në mbarë botën do të përhapej demokracia liberale dhe kapitalizmi i stilit perëndimor.

Ai sugjeroi se njerëzimi mund të ketë arritur në një lloj pike përfundimtare të evolucionit të tij socio-politik. Por gjërat nuk funksionuan kaq thjesht, dhe Fukuyama i ka kaluar 30 vitet e fundit duke u kritikuar vazhdimisht,dhe duke e zhvilluar më tej pikëpamjen e tij.

Ai thotë se koncepti i tij origjinal, i huazuar nga filozofi gjerman Hegel, shpesh është keqkuptuar. Fukuyama thotë se nuk ka synuar asnjëherë të thoshte se demokracia dhe kapitalizmi do të përhapeshin kudo, por se vetëm demokracia mund të përmbushte nevojën themelore njerëzore për njohje individuale, dhe se nuk kishte asnjë alternativë superiore drejt së cilës bota po zhvillohej.

Në një intervistë për “Foreign Policy”, Fukuyama beson ende se kjo është e vërtetë, por nga ana tjetër ka shumë gracka për demokracinë, të cilat ai nuk i parashikoi dhe këtë e tregoi edhe ngritja dhe rënia e Donald Trump.

Në një ese të vitit 2014 dhe më pas në librin tuaj të vitit 2018, “Identiteti:Kërkesa për dinjitet dhe politika e pakënaqësisë”, ju parashikonit që fuqia e politikës së identitetit, e drejtuar nga inatet, mund t`a minojë një demokraci. A është kjo ajo që pamë në Capitol Hill më 6 Janar?

Unë mendoj se një nga gjërat që ka ndodhur shumë më shumë në të djathtë sesa në të majtë, është kalimi nga polarizimi dhe ndarjet politike bazuar në çështjet politike, në ato të bazuara tek identiteti. Pra, çështja themelore është besnikëria ndaj një vizioni të caktuar se si duhet të duket kombi:cilat duhet të jenë vlerat e njerëzve që e drejtojnë atë. Dhe për shkak të çmendurisë së Trump, kjo politikë është bërë shumë e personalizuar.

Por a është kjo unike për Trump?

Jo tërësisht. Ne kemi pasur “John Birch Society” dhe shumë të çmendur të tjerë në vitet 1950-1960, por institucionet ishin në gjendje të ruanin kontrollin mbi ligjërimin e tyre. Edhe me Joe Mccarthy, kishte një dukuri shumë të ngjashme.

Ai artikuloi teori të çmendura të komplotit rreth komunistëve që kishin depërtuar në ushtri dhe Departamentin e Shtetit. Të gjithë republikanët kishin frikë të dilnin kundër tij, derisa senatorja Margaret Smith dhe vetë ushtria iu kundërvunë. Pastaj Mccarthyism u shemb shumë shpejt.

Gjatë 5 viteve të fundit, kemi menduar se kur do të vinte momenti “Mccarthy”për Trumpin. Por nuk erdhi kurrë. Ndoshta do të ndodhë tani, teksa po largohet nga detyra dhe është presidenti i parë që do të fajësohet 2 herë, këtë herë për nxitjen e kryengritjes?

Amerika e Korporatave nuk dëshiron që ta lejojë këtë. Unë mendoj se është domethënës precedenti i disa republikanëve që i kanë prishur marrëdhëniet me Trump. Dhe pastaj ai u pezullua nga Twitter. Po mendoja me vete,se sa gjë e mrekullueshme është të mos të duhet t`a dëgjosh më atë. Kjo do të ndihmojë në margjinalizimin e tyre.

Ju keni shkruar në librin tuaj më të fundit se demokracia nuk do të mbijetojë “në rast se qytetarët nuk besojnë se janë pjesë e të njëjtës politikë”. Ky duket të jetë edhe problemi që po shohim me polarizimin në Shtetet e Bashkuara…

Nuk mendoj se është një problem i pazgjidhshëm. Shumë prej tyre kanë të bëjnë me fuqinë politike. Për shkak se njerëzit duan të kenë pushtet politik, dhe nëse ata po kontestojnë një version të identitetit kombëtar,e kanë realisht të vështirë të fitojnë zgjedhjet apo të kenë fuqinë komanduese në një vend.

Atëherë ata do t`a ri mendojnë qasjen e tyre. Nëse kane pasur një seri humbjesh elektorale, atëherë ata duhet të rivlerësojnë qëndrimin e tyre. Por them se ndryshimi nuk do të vijë shumë lehtë. Kështu, nëse kalojmë në një periudhë kur krahu i Trump kthehet në thelb në një organizatë terroriste, dhe ka vrasje, rrëmbime dhe sulme mbi kryeqendrat e shteteve, dhe gjëra të tilla, ata nuk do t`a fitojnë dot atë luftë. Dhe në fund të fundit, mendoj se kjo qasje do të mbjellë farën e shkatërrimit të tyre përfundimtar.

Çfarë do të thotë epoka e Trump për brishtësinë e demokracisë, dhe ngritjen e formave të reja të autoritarizmit?

Unë mendoj se një nga modelet më të rëndësishme të autoritarizimit të sotëm është ish kryeministri italian Silvio Berlusconi. Ai zbuloi një mënyrë për të fituar pushtet politik, duke kombinuar pushtetin politik me fuqinë ekonomike.

Ai ndërtoi një perandori mediatike, që i dha mundësi të garonte në politikë, dhe pastaj

kur u bë kryeministër e përdorte fuqinë e tij politike për të mbrojtur perandorinë e tij mediatike. Kështu, të dyja ushqeheshin nga njëra-tjetra.

Në SHBA ajo që bëri Trump ishte pasja e stacionit të tij televiziv, Fox News. Më pas ai zhvilloi një mjet të ri për të komunikuar përmes Twitter-it. Por mendoj se ky është sekreti i tij:“Kontrollo narrativën, dhe mos përdor forcë.”

Le të ndalemi së fundmi tek pandemia. Vitin e shkuar ju botuat një ese, ku ndër të tjera shkruani se kriza e Covid-19 zbuloi “dobësitë” e institucioneve kudo që ato ndodhen. Por ju theksuat nga ana tjetër se ajo mund të ndihmojë në promovimin e unitetit shoqëror, mbështetjen e qeverisë dhe një mbrojtje më të mirë sociale në disa vende, siç ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore dhe Depresionit. Cili do të jetë ndikimi i saj afatgjatë?

Efektiviteti i përgjigjeve ndaj krizave varet vërtet nga politika në një shkallë të madhe.

Elementë si kapaciteti shtetëror janë shumë të rëndësishme. Por shihni Shtetet e Bashkuara.

Ne kemi institucione të forta, shumë kapacitete. E megjithatë e djallosëm.

Pra, në një farë mënyre, besimi dhe konsensusi shoqëror, bëhen disa nga çështjet më të rëndësishme.

Mendoj se e shihni këtë në Japoni, Korenë e Jugut, Gjermani dhe Skandinavi. Disa demokraci kanë arritur të ruajnë konsensusin, dhe disa arritën t`a forcojnë atë. Popullariteti i Angela Merkel është rritur vitin e fundit. Por vendet që janë të polarizuara dhe zgjedhin udhëheqës të paaftë sigurisht që do të vuajnë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!