INSTAT: Shtesa natyrore e popullsisë ra me 69.9%

schedule14:30 - 14 Gusht, 2018

schedule 14:30 - 14 Gusht, 2018

Në vendin tonë vijojnë të lindin më pak. Tre muajt e parë të vitit u regjistrua një rënie e tyre me 25.3%. Shifrat vijnë nga Instituti i Statistikave që në raportin e fundit thekson se shtesa natyrore e popullsisë ka rënë me rreth 70%.

Shqipëria sa vjen e tkurret. Shtesa natyrore e popullsisë nga muaji prill deri ne muajin qershor të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave, pasqyron një rënie me 69,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Ndonëse numri i lindjeve tejkaloi me 769 persona atë të vdekjeve sërish ishin 25.3 % më pak se 2017.

Përgjatë tremujorit të dytë të vitit, në vendin tonë lindën 5 mijë e 592 bebe. Numri më i madh u regjistrua në Tiranë, 1 mijë e 851, ndërsa numri më i vogël në Gjirokasteër, 87. Instituti i Statistikave thekson se nga prilli deri në qershor në të gjitha qarqet e vendit u vu re rënie e lindjeve, por më e ndjeshme ishte në Berat dhe Vlorë. Ndërkohë, në po të njëjtën periudhë në vend humbën jetën 4 mijë e 823 persona, 2. 2% më pak se në vitin 2017.

Tirana zë vendin e parë me 1 mijë e 88 vdekje, ndërsa Kukësi të fundit me 124. Rritje sipas INSTAT pësuan vetëm tre qarqe; Shkodra, Durrësi dhe Vlora, në tetë të tjerat humbjet e jetëve ishin më pak. Qarku ku u regjistrua dhe rënia më e madhe e numrit të vdekjeve është Gjirokastra./abcnews.al