Në muajin shtator në Bruksel, do të jetë takimi i rradhës mes presidentit të Kosovës Thaçi dhe atij serb Vuçiç, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd. Por opozita në Kosovë ka paralajmëruar protesta kundër Thaçit, si drejtues i këtij dialogu dhe idesë së tij për korrigjim kufijsh mes dy vendeve.
Presidentët Thaçi dhe Vuçiç do takohen në fillim të muajit të ardhshëm në Bruksel në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë, mirëpo partitë opozitare në vend vazhdojnë të jenë kundër formatit aktual të dialogut dhe të mos e pranojnë presidentin e Kosovës për udhëheqës të këtij procesi. Ashtu si dy takimet e kaluara, edhe takimi i cili pritet të mbahet në fillim të shtatorit të këtij viti në Bruksel pritet ta gjejë palën kosovare pa një konsensus kombëtar.
Partitë në opozitë në Kosovë kanë paralajmëruar protesta për të mos lejuar që presidenti Hashim Thaçi, të jetë drejtuesi dialogut dhe që temë e bisedimeve të jetë korrigjimi i kufijve. Vetëvendosja dhe LDK-ja thonë se kanë rënë dakord, që të mos legjitimohet ekipi i dialogut në parlamentin e vendit. Ndonëse PSD-ja nuk ka gjetur akoma përkrahjen e Vetëvendosjes dhe LDK-së për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun, ata thonë se do t’i mbështesin edhe protestat.
Prej disa ditësh presidenti Thaçi ka shpalosur ide të ndryshme për ndryshim e korrigjim të kufijve me Serbinë. Madje, ai ka paralajmëruar se këtë temë do ta diskutojë edhe gjatë shtatorit, kur pritet të mbahet në Bruksel takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç./abcnews.al