Policia i jep akses “Doganave” në platformën e Europol-it, Veliu: Forcojmë bashkëpunimin

schedule15:29 - 20 Janar, 2021

schedule 15:29 - 20 Janar, 2021

Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Genti Gazheli nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve për “Dhënien e së drejtës së aksesit në sistemin elektronik SIENA të Europol-it. Veliu deklaroi se kjo platformë do të mundësojë shkëmbimin e informacionit dhe aksesin në bazën e të dhënave.

 “Pas bisedimeve të zhvilluara gjatë muajt dhjetor 2020 u bë e mundur që sot të nënshkruajmë këtë memorandum bashkëpunimi, i cili do të mundësojë që edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, duke filluar nga sot e në vazhdim do të marrë akses në platformën SIENA të Europol-it. Platformë e cila do të mundësojë jo vetëm shkëmbimin e informacionit dhe aksesin në bazën e të dhënave, por do të synojnë edhe krijimin e mundësive dhe lehtësirave të nevojshme për një informacion në kohe reale për të marrë dhe shpërndarë nga agjencitë e tjera te zbatimit te ligjit  dhe me Europol-in.

Do të mundësojë krijimin e takimeve operacionale, por edhe mbështetjen për operacione të përbashkëta që mund të zhvillohen në të ardhmen. Tashmë, ne si vend kandidat për në BE dhe pjesëtar për në Europol, do të kemi mundësinë që si dy agjenci të zbatimit të ligjit, të kontribuojmë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Policia e Shtetit prej kohësh është aktive në këtë platformë, ka kontribuar dhe ka marrë mbështetje në disa operacione jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por tashmë së bashku ne do të bëjmë të mundur të ndjekim në kohë reale, të shkëmbejmë informacion dhe t’i japim një goditje më të fortë luftës kundër krimit ekonomik dhe gjithë krimit të organizuar në përgjithësi. Mendoj se është një ditë e shënuar e cila tregon jo vetëm forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por edhe me partnerët e tjerë”, tha Veliu.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të monitorohet nga Njësia Kombëtare e Europolit në Policinë e Shtetit./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!