Meite: Mësoj nga Pirlo e Modric, kur m’u përmend Milani refuzova çdo ofertë

schedule14:35 - 20 Janar, 2021

schedule 14:35 - 20 Janar, 2021

Soualiho Meite u mor nga Milani në huazim nga Torino dhe mesfushori debutoi direkt me kuqezinjtë në sfidën kundër Cagliari në Sardenjë. Sot ai ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka folur për shumë çështje.

“Ndihem si mesfushor mbrojtës dhe sulmues. Duhet të dini të sulmoni dhe të mbroni. Mua më pëlqen të luaj kështu. jam i gjatë, por më pëlqen ta kem topin në kontroll dhe të luaj me të. Mesfushori që më inspiron? Janë shumë mesfushorë që më pëlqejnë. Shikoj më të mirët, si Pirlo, Modric dhe Yaya Toure. Shikoj videot e tyre që të përpiqem të mësoj sa më shumë”.

“Debutimi? E ndjeva direkt kompaktësinë e grupit, flasim shumë kjo më pëlqen. Ishte bukur të aktivizohesha në Sardenjë kundër Cagliarit. Ka shumë lojtarë të fortë këtu, me Ibrën të parin që është 40 vjeç dhe bën gjëra të mira. Unë jam i ri dhe duhet të bëj edhe më shumë”.

“Gjëja e parë që ndjeva këtu ishte kompaktësia e grupit. Menjëherë u ndjeva pjesë e skuadrës. Me një grup si ky mund të vësh gjëra të madha. Do përpiqem të luaj sa më shumë dhe të kthehem në një titullar. Beso te vetja”.

“Shansi i jetës? Nuk e di nëse është shansi i jetës, por është një moment i rëndësishëm që mund të ndryshojë karrierën time.  Milani është një ekip i shkëlqyeshëm dhe nëse paraqitem mirë mund të ndryshoj si njeri dhe të më ndryshojë karriera. Do të jetë katër muaj të rëndësishëm për mua”.

“Pioli? Më pëlqen mënyra e të luajturit. Ai dëshiron që të luajmë gjithmonë përpara dhe kjo është shumë e rëndësishme për një mesfushor si unë”.

“Numrin 18 e kam marrë sepse ka qenë i pari për mua në ekipin e parë. E njoh Kessie dhe është e rëndësishme të njohësh një si ai, pasi do të më ndihmojë të përshtatem te Milani sa më mirë.

Oferta e Milanit? Isha shumë i lumtur kur mësova se më donin. Kishte edhe ekipe të tjera që më kërkonin, por sapo dëgjova për Milanin nuk i mendova si opsione. Para ndeshjes me Milanin agjenti më thirri për të biseduar me ta. Isha shumë i lumtur dhe e kuptova se ky transferim mund të bëhej”, mbyll Meite. /abcnews.al