Kërcënohet avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe. Siç raporton gazetarja Glidona Daci për abcnews.al avokati i Shullazit është kërcënuar me sms.
Rasti është denoncuar nga vetë ai në policinë e Tiranës. “Shiko familjen mos u merr me hallet dhe kusuret e Shullazit. Hiq dorë sa nuk është vonë”, është ky mesazhi që ka mbërritur në celularin e avokatit Meçe, nga një numër shqiptar.
Pasi ka marrë këtë sms, ai ka bërë menjëherë kallëzim, ndërkohë që kanë nisur hetimet. Kujtojmë se Meçe është avokati mbrojtës i Emiljano Shullazit që prej prillit të 2016.
Emiliano Shullazi njihet nga drejtësia shqiptare si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale dhe akuzohet për disa vepra penale: “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, “Kanosje për shkak të detyrës”, “Shkatërrim prone me eksploziv”, “Grup i strukturuar kriminal” si edhe “Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtor Emiljano Shullazin për “përvetësim pasurie”, “kërcënim”, dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe u dënua me 14 vjet burg.
Bashkëpunëtori i tij Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg. g.v/abcnews.al