Ministrja Belinda Balluku ka inspektuar mbrëmjen e së shtunës aksin rrugor Pogradec-Korçë. E shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor, Ergys Verdho inspektuan punimet në Qafë- Pllocë, një zonë problematike gjatë sezonit të dimrit, për shkak të terrenit të vështirë.
Balluku theksoi se vijojnë punimet për të mbajtur situatën në kontroll, ndërsa bëri një apel për drejtuesit e automjeteve.
“Në Qafën e Plloçës edhe në Qafë Thanë ka filluar rruga ka ngrirë, automjetet duhet të shkojnë në limitin minimal të shpejtësisë.”
Drejtori i ARRSH, shprehu gatishmërinë, për monitorimin e situatës.
“Sot ka reshje dëbore përgjatë gjithë natës, më pas kemi mot të mirë, i cili mund të përkthehet në ngrica nëse nuk veprojmë në kohë.”
Sa i takon situatës në veri të vendit, për shkak të reshjeve të pakta ka pasur një përmirësim të lehtë të situatës, ndërkohë që kompanitë kontraktore dhe grupet e punës së ARRSH ndodhen në terren.
Me angazhimin edhe të forcave të ushtrisë po vijon puna për hapjen e rrugës së Thethit, ku për shkak të reshjeve të dendura trashësia e dëborës ka arritur në gati 2 metra, duke sjellë edhe vonesa për hapjen e këtij segmenti. /abcnews.al/