Kombet e Bashkuara kanë kërkuar një hetim serioz mbi sulmin e armatosur të së enjtes në Jemen, ku mbetën të vrarë 40 fëmijë. Ndërkohë, koalicioni ushtarak i vendeve arabe ka konfirmuar nisjen e procesit hetimor.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka bërë thirrje për një hetim transparent dhe të besueshëm për sulmin e koalicionit ushtarak në Jemen, që u mori jetën disa dhjetëra fëmijëve. Ambasadorja britanike në Kombet e Bashkuara, Karen Pierce ka deklaruar se vendet anëtare janë shprehur shumë të shqetësuara për ngjarjen e së enjtes. Duke reaguar, koalicioni ushtarak arab i udhëhequr nga sauditet ka bërë me dije se do ta hetojë sulmin, duke ndryshuar këtu qëndrimin e shprehur më herët, kur e kishte cilësuar veprimin një mbrojtje legjitime nga rebelët e etnisë huthi.
Të paktën 40 fëmijë mbetën të vrarë kur autobusi me të cilin po udhëtonin u qëllua nga një raketë në veri të Jemenit. Sulmi i kryer nga vendet arabe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara shkaktoi irritimin e grupeve të të drejtave të njeriut. UNICEF deklaroi se akti i “frikshëm” është dëshmi se lufta brutale e Jemenit ka prekur fundin. Ndërkohë, banorët në Saada, provinca ku ndodhi ngjarja, kanë nisur të hapin varret për varimin e fëmijëve të tyre, që do të mbahet të shtunën./abcnews.al