Kinë, komuniteti mysliman sfidon qeverinë

schedule21:29 - 10 Gusht, 2018

schedule 21:29 - 10 Gusht, 2018

Komuniteti mysliman në Kinë ka vendosur të sfidojë urdhërin e qeverisë për prishjen e një xhamie të ndërtuar sipas stilit arab. Qytetarë të shumtë janë mbledhur duke mbrojtur me trupin e tyre objektin e kultit.

Disa qindra myslimanë në veri-perëndim të Kinës kanë zgjedhur t’u bëjnë rezistencë autoriteteve që kërkojnë të shembin xhaminë e tyre. Autoritetet deklarojnë se xhamia e re e ndërtuar në rajonin Ningxia është ngritur pa lejet e duhura të pushtetit vendor. Por besimtarët refuzojnë të tërhiqen. Një prej tyre ka deklaruar se nuk do ta lejojë qeverinë të prekë xhaminë. Kina ka një minoritet mysliman prej 23 milionë banorësh dhe feja islame ekziston në rajonin Ningxia prej shekujsh.

Por grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut deklarojnë se në vendin aziatik është rritur ndjeshëm armiqësia ndaj kinezëve myslimanë dhe besimeve të huaja në përgjithësi. Objekti i kultit, i cili ka disa minare dhe salla, është ndërtuar sipas modelit të xhamive të Lindjes së Mesme. Prej shekujsh, xhamitë e myslimanëve Hui janë ndërtuar sipas stilit kinez dhe mesa duket, struktura e re shihet nga autoritetet lokale si shembull i arabizimit të islamit kinez. Protestat nisën të enjten dhe kanë vijuar edhe të premte. Jashtë xhamisë janë mbledhur turma të mëdha njerëzish./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!