Ilir Daja, trajneri i Partizanit, në prag të ndeshjes me Skënderbeun ka dalë para mediave dhe ka folur për situatën në skuadrën e tij, përballjen me bardhekuqtë që i ka drejtuar, sikurse ka prekur edhe temën e merkatos.
“Jemi të kënaqur, pasi shtojmë edhe më shumë potencialin në mesfushë dhe sulm. Shtimi i rivaliteti i shtyn gjërat përpara në progres. Presim edhe mbrojtës, pasi kemi vetëm katër të tillë në organikë. Jemi në intensitet maksimal pune për sa i përket vëzhgimit të lojtarëve për t’u afruar. Janari të jep pak mundësi për futbollistë cilësorë. Vazhdojmë të jemi intensivë për përforcimet.
Nuk ngutemi, pasi çdo gabim mund të na kushtojë më pas. Respektojmë rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s për sa i përket bisedimeve. Jemi në bisedime me lojtarë brenda rregullave, emrat nuk i them dot. Sa nuk janë fakt nuk them. Vendimet i marrim bashkë që të ketë sa më pak mundësi gabimi.
Gara? Skuadrat janë ngjeshur, veç Vllaznisë së shkëputur. Me dy fitore del lart dhe me dy humbje zbret. Nuk ka diferenca, duke nisur nga Vllaznia. Kjo ngjeshje do jetë për shumë kohë. Tani më terrenet e rënduara nuk ka më lojë spektakolare, ka vetëm grintë. Ndeshjet po ngjeshën dhe nuk do ketë shumë ndryshim. Duhet të përshtatemi me terrenet dhe të jemi cinikë. Normalisht nuk ndryshojmë dot filozofinë e lojës.
Vijmë pas një humbje dhe barazimi, por jemi të dytët. Normalisht nuk me pëlqen vendi i dytë, por në fillim do e firmosja. Vjet u rendit i gjashti, me titullarë të larguar. Të tjerët janë përforcuar shumë dhe jemi të dytët. Kemi bërë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë ecurinë e mirë. Shkoj në një qytet që e respektoj shumë dhe kemi arritur gjëra të mëdha. Nesër i kemi kundërshtare dhe i respektoj. Do luftoj të fitojmë sërish. Duhet të përshtatemi me borën.
Brian Brown? Kam thënë që Partizani është institucion. Trajnerët dhe lojtarët janë kalimtarë. Është e mbyllur si lojtar i Partizanit. Po flas për Lucas, i cili ka qenë me ndeshje shumë të limituara në dy vitet e fundit. Ka qenë pjesë e rëndësishme te Partizani deri në këtë moment. Për një ofertë më të mirë ai do largimin, kur ka edhe 1.5 vite kontratë. Çfarëdo kombësie dhe çfarëdo lojtari, duhet të respektojë maksimalisht klubin, Partizani është institucion. Këtu bën pjesë edhe Brown.
E kemi të gjithë kontingjentin për Skënderbeun, përveç Idrizajt dhe Lucas, i cili nuk është paraqitur në dy seancat e fundit. Do të marrë penalitete sipas rregullores që ka klubi. Edhe dy afrimet do të jenë prezent nesër. Murataj dhe Stenio mund të luajnë. I pari ka shanse më shumë, pasi e njeh kampionatin shqiptar dhe e ka më të thjeshtë përshtatjen. Në varësi të ndeshjes mund të luajë edhe braziliani“, deklaron trajneri i ekipit kryeqytetas. /abcnews.al