Për t’i bërë ballë fuqizimit ushtarak ruso-kinez, administrata amerikane ka konfirmuar projektin e përfolur për krijimin e forcës hapësinore. Objektivi i Uashingtonit është që kjo degë e re e forcave të armatosura të jetë gati brenda vitit 2020.
Administrata e presidentit Donald Trump ka prezantuar të enjten objektivin për krijimin e degës së gjashtë të forcave ushtarake amerikane, që do të quhet Forca e Hapësirës. Synimi është që njësia e re të ndërtohet brenda vitit 2020 dhe që krijimi i saj të sigurojë mbështetjen e të dyja partive të Kongresit. Zëvendës presidenti Mike Pence, në një fjalim të mbajtur në Pentagon deklaroi se ka ardhur koha që forca e hapësirës të bëhet realitet. “Kongresi duhet të punojë i bashkuar për të ngritur një departament të ri që do të merret me organizimin, stërvitjen dhe armatosjen e forcave të hapësirës”, tha Pence.
Një nga argumentet më të forta në favor të krijimit të kësaj njësie është se rivalët e Shteteve të Bashkuara, si Rusia dhe Kina kanë rritur kapacitetet e tyre për të sulmuar asetet hapësinore amerikane në rast të një konflikti. “Kjo është një çështje lufte dhe ne duhet të përshtatemi me këtë realitet”, ka thënë nga ana tjetër sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis. Ndërkohë, kritikët e shohin krijimin e degës së re ushtarake si një akt burokrat të panevojshëm, që nuk ka asnjë lidhje me krijimin e forcave ajrore në vitin 1947. Por për promovuesin e këtij plani, presidentin Donald Trump, projekti tashmë ka nisur./abcnews.al