Juventusi siguroi kualifikimin më tej në Kupën e Italisë mes vuajtjeve, Bayern Munchen pësoi një eliminim surprizë në Kupën e Gjermanisë, ndërsa Barcelona ia del të kalojë në finalen e Superkupës së Spanjës. Bardhezinjtë e Andrea Pirlos mposhtën 3-2 Genoan në shtëpi, duke u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë.
90 minutat u mbyllën në barazim 2-2. Dejan Kulusevski dhe Alvaro Morata shënuan dy herë në 23 minutat e para dhe u duk se Juventusi e siguroi lehtësisht fitoren. Një gjë e tillë nuk ndodhi, miqtë reaguan dhe e dërguan sfidën në shtesa.
Lennart-Marten Czyborra shkurtoi diferencën në minutën e 28-të, teksa Filippo Melegoni barazoi takimin në minutën e 74-t. Ndeshja në shtesa, aty ku kampionët e Italisë nuk mund të gabonin më. 21-vjeçari tunizian, Hamza Rafia realizoi golin e fitores për Juventusin në minutën e 105-të.
Bayern Munchen u shokua në fushën e Holstein Kiel. Kampionët e Gjermanisë e mbyllën në barazim 2-2 kohën e rregullt me ekipin e Bundesliga 2, teksa dështuan në goditjet e penalltive. Vendasit rezistuan çerek ore. Serge Gnabry përfitoi nga një gafë e portierit vendas dhe dërgoi topin lehtësisht në rrjetë.
Gjithsesi, Holstein Kiel reagoi dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 37-të. Fin Bartels iu shkëput mbrojtjes mike dhe mposhti Manuel Neuer. Bavarezët u rikthyen në avantazh në minutën e 48-të falë Leory Sane në minutën e 48-të. Ekzekutim mjeshtëror nga goditja e dënimit dhe topi në rrjetë.
Vendasit gjetën forca dhe barazuan ndeshjen në minutën e pestë shtesë. Hauke Wahl dërgoi topin në rrjetë dhe ndeshja në shtesa. 30 minutat nuk prodhuan gol dhe dy ekipet iu drejtuan penalltive, aty ku lojtarët e Holstein Kiel u treguan më të saktë dhe siguruan kualifikimin në raundin e 1/8 të DFB Pokal.
https://streamable.com/a23i3f
Penalltitë vendosën edhe finalistin e parë të Superkupës së Spanjës. 1-1 përfundoi koha e rregullt e Real Sociedad-Barcelona. Frenkie De Jong shfrytëzoi një asist të Griezmann për të kaluar katalanasit në avantazh në fundin e pjesës së parë (39′).
Baskët nuk u pajtuan me këtë rezultat dhe rikthyen baraspeshën në minutën e 51-të. Penallti për Sociedad dhe goditje e saktë e kapitenit Mikel Oyarzabal. Gola nuk pati më, madje as në shtesa. Ekipet iu drejtuan raundit të penalltive, aty ku Barcelona u tregua më e saktë dhe u kualifikua në finalen e madhe. /abcnews.al