Lëndoi 5 efektivë, Oruçi flet për Abcnews.al nga arratia: Policët u rrëzuan vetë, kushti për dorëzim

schedule17:18 - 12 Janar, 2021

schedule 17:18 - 12 Janar, 2021

Nga Dylber Balla

Ish-kreu i këshillit të qarkut të Kukësit, Abedin Oruçi sot u përplas me policinë në momentin që efektivët shkuan për ta arrestuar në hotelin e tij, por nuk arritën, pasi ai u shpëtoi nga duart duke u arratisur. Nga ngjarja u raportua se Abedin Oruçi u nxori armën efektivëve në Kukës duke i kërcënuar ndërsa nga përleshja policët mbetën të lënduar. Por Abedin Oruçi i hedh poshtë të gjitha raportimet nga policia.

Në një intervistë nga arratia për Abcnews.al, Oruçi sqaron të vërtetën sipas tij të përleshjes dhe akuzave. Ai thotë se policët u rrëzuan vetë, ndërsa akuzat i cilëson politike dhe burimin e tyre e gjen te kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici. Për t’u dorëzuar ka një kusht, jo që të hetohet nga prokuroria e Kukësit, pasi e cilëson të korruptuar.

Intervista e Abedin Oruçit për Abcnews.al

Si është e vërteta sipas jush për ngjarjen e ndodhur në Kukës?
Nuk ka pasur fare përplasje.

Por si ndodhi ngjarja?
Unë jam që 20 vite i zgjedhur, 4 mandate si kryetar komune dhe së fundmi kryetar qarku. Aktualisht jam anëtar i këshillit bashkiak. Kjo ka ardhur vetëm si arsye se jam zë ndryshe në Këshillin Bashkiak, kjo ka ardhur për “Skënderbeun”, Safetin, që ka privatizuar Kukësin dhe prokuroren e Kukësit, Rita Gjati. Unë nuk kam bërë asnjë shkelje deri në momentin që flasim bashkë.

Nuk kam bërë asnjë debat me policinë. Unë u kam thënë do të vij në polici por jo në prokurorinë e Kukësit me këtë prokurore, pasi kjo është prokuroja më e korruptuar në Shqipëri, bashkë me kryetarin e bashkisë.

Sot si ka qenë puna?
Unë isha në kafe. I kam thënë policisë që nuk vij sa të jetë kjo prokurore dhe ky kryetar bashkie. Më çoni ku të doni në një prokurori tjetër se nuk kam bërë asnjë shkelje.

Po përleshja, 5 efektivë të plagosur…
Absolutisht, jo, jo. Janë rrëzuar vetë.

Si janë rrëzuar vetë?
Janë edhe kamerat, janë rrëzuar në momentin që unë ika dhe ata po më ndiqnin. Kjo është e vërteta.

Po pistoleta pa leje?
Armën e kam me leje. Arma ishte në zyrë, nuk e kam pasur me vete, gjatë kontrollit policia e ka gjetur. Armën e kam pasur me leje, do ta kisha dorëzuar se nuk kam pasur si ta dorëzoj se isha në kërkim.

A do të dorëzoheni?
Unë jam gati me u dorëzuar në cdo prokurori, por jo të Kukësit, se është e korruptuar. Unë nuk kam asnjë problem, nuk kam bërë asnjë lloj shkelje. Akuzat janë politike, pasi kam qenë kandidat edhe për kryetar bashkie.

………………………….

Ish zyrtari i Kukësit po hetohet nga prokuroria për 3 vepra penale: Ndërtim të paligjshëm, kundërshtim i funksionarëve publik dhe kanosje për shkak të detyrës. Abc mëson se konflikti me Gjicin ndodhi më 19 tetor të vitit të shkuar. Abedin Oruçi u konflikua dhe me bodigardët e Gjicit, sherr që ndodhi pak minuta pasi Gjici kishte përfunduar takimin me ambasadoren holandeze. Oruçi pretendon se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj bashkisë.

Gjykata kishte dhënë ndaj tij masën e sigurisë detyrim paraqitje në mungesë, duke hedhur poshtë kërkesën e prokurorisë për arrest në burg. Abedin Oruçi për 4 vite nga 2015 deri në 2019 ka qenë drejtuesi i qarkut të Kukësit, përfaqësues i PDIU-së. Aktualisht ai është anëtar i këshillit bashkiak të Kukësit nën siglën e Bindjes Demokratike. /db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!