Në Amsterdam, qytetin holandez – prej dekadash simbol i liberalizmit për konsumin e kanabis dhe të marrëdhënieve seksuale me pagesë – po diskutohet që t’u ndalohet turistëve të huaj që të blejnë në mënyrë të ligjshme marijuanë në kafene.
Propozimi është bërë nga kryebashkiakja Femke Halsema dhe nga zyrat e prokurorisë vendore, duke marrë që tani mbështetjen e policisë. Objektivi është kufizimi i të ashtuquajturi “turizëm i shthurur” në kryeqytetin holandez. Nëse do të pranohet, vetëm rezidentët me pasaportë janë të autorizuar të blejnë në 166 pikat e shitjes në Amsterdam.
Në një letër për këshilltarët bashkiakë, kryetarja e bashkisë u shpreh se shpesh në qytet vijnë turistë të rinj në moshë vetëm për të blerë marijuanë. Një e treta e kafeneve që shesin marijuanë në vendet e ulëta, ndodhen në Amsterdam, dhe kjo është një joshje e madhe për turistët e huaj që shkaktojnë situata të pakëndshme për banorët.
Propozimi është një nga zgjedhjet e shumta që mbështeten nga Halsema, pas zgjedhjes së saj në 2018-ën, për të reduktuar mbipopullimin e lagjeve me drita të kuqe në qytet.
Droga të lehta si hashashi dhe marijuanë janë ligjërisht të konsumueshme në kafenetë holandeze për konsum personal dhe tregtia e tyre ka mbetur aktive dhe gjatë mbylljes së vendit si pasojë e pandemisë.
Por statistikat e fundit, sipas administratës së qytetit, tregojnë se turizmi për këtë qëllim është rritur dukshëm sidomos nga Mbretëria e Bashkuar.
Për këtë arsye perspektiva për të përjashtuar këtë pjesë të rëndësishme nuk i pëlqen aspak zëdhënësit të shoqatës së rishitjes së kanabis në Amsterdam, i bindur se përpjekjet për të mbajtur turistët jashtë këtyre kafeneve do të shkaktojë rritjen e shitjes së drogës në rrugë.
Në muajin shkurt, pikërisht kryebashkiakja e Amsterdam publikoi një raport që tregon se si më shumë se një e treta e turistëve të huaj janë më pak të prirur të vizitojnë Amsterdamin nëse nuk do të mund të blinin kanabis në kafene.
Sipas zyrës holandeze për kërkime, informacione dhe statistika, studimi zbulon se deri në 44% të turistëve britanikë, 50% e gjermanëve dhe 45% e francezëve nuk do të vizitonin më Amsterdamin nëse nuk do të lejoheshin më të hynin në këto kafene.
Madje studimi zbulon se Amsterdami mund të kalonte në 73 pika shitje nga 166 aktuale në 2025-ën, nëse kjo kërkesë e kryebashkiakes pranohet.
Tashmë vendimi është në duart e këshillit bashkiak të qytetit, i cili ka fjalën e fundit për miratimin e planeve të reja./abcnews.al