Lidhja Demokratike e Kosovës i cilëson të pamatura deklaratat e fundit të presidentit Thaçi dhe për këtë arsye LDK-ja do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pas mbledhjes të Kryesisë së kësaj partie, në të cilën pas një kohe të gjatë mori pjesë edhe lideri Isa Mustafa, ish-aleatët e Thaçit kanë deklaruar se Presidenti aktual nuk mund të përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. LDK thekson se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: “Duke mos e cënuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës” – thuhet në qëndrimin e bërë publik nga Lidhja Demokratike e Kosovës./abcnews.al