Shifra rekord në Gjermani, Merkel paralajmëron javë më të vështira

schedule08:52 - 11 Janar, 2021

schedule 08:52 - 11 Janar, 2021

Gjermania ka regjistruar mbi 40 mijë viktima që nga fillimi i pandemisë dhe siç ka paralajmëruar kancelarja Merkel javët e ardhshme do të jenë më të vështirat.

Instituti Robert raporton se në 24 orët e fundit janë regjistruar 465 viktima nga koronavirusi duke e çuar totalin në 40343, ndërsa rastet e reja ditore ishin rreth 17000. Deri më tani në Gjermani më shumë se 1.9 milion njerëz janë të  infektuar.

Kancelarja theksoi se ndikimi i plotë i kontakteve shoqërore gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri nuk është ende i dukshëm në statistika.

Gjermania e përballoi më mirë se shumë vende të tjera europiane valën e parë të pandemisë në pranverë, por ajo është goditur më shumë nga vala e dytë.

Vendi me 83 milionë banorë ka vendosur masa për të kufizuar kontaktet mes njerëzve dhe për të ndihmuar spitalet të përballojnë një rritje të numrit të pacientëve.

Më shumë se 5.000 pacientë me COVID-19 janë aktualisht në kujdes intensiv në të gjithë vendin, me mbi 80 për qind të shtretërve të kujdesit intensiv të zënë.

Gjermania ka mbyllur shkollat dhe dyqanet jo-thelbësore, mjediset e kulturës dhe ato të kohës së lirë deri të paktën më 31 janar me shpresën për të ngadalësuar përhapjen. Në fund të dhjetorit, vendi filloi të vaksinojë qytetarët me vaksinën Pfizer / BioNTech./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!