10 banorë të Shupenzës në spital, mjekët dyshojnë për covid, ish-deputetja e PD: I helmuan

schedule21:30 - 10 Janar, 2021

schedule 21:30 - 10 Janar, 2021

Ditën e sotme 10 banorë u paraqitën në qendrën shëndetësore Shupenzë në Bulqizë me diarre dhe të vjella. Dyshimet e para të mjekëve janë se mund të kemi të bëjmë me raste infektimesh me koronavirus, por ish-deputetja demokrate Dhurata Çupi akuzon se banorët po i helmojnë me ujin e pijshëm.

“Po i helmojnë prej 7 vitesh me varfëri duke i çuar në skamje. Po i helmojnë duke u vjedhur xhepat përmes taksave që paguajnë rregullisht për 7 vjet me radhë. U bë e disata herë që po i helmojnë me ujin që pijnë.  Janë banorët e Shupenzës kete herë dhe Bulqizes disa muaj me parë,  të cilët vazhdimisht rezulton të helmohen nga uji i pijshëm në rubinetat e tyre, dhe ndonëse ky fakt është denoncuar dhjetra herë, ende askush nuk ka marrë asnjë përgjegjësi.

Ndërsa banorëve u rrezikohet jeta nga helmi, auroritetet heqin përgjegjësitë nga vetja për këtë ngjarje.  Korrupsioni institucional në vepra publike është trendi i rilindjes, por ky korrupsion po u rrezikon jetën këtyre banorëve. Asnjë hetim nuk është kryer nga organet kompetente të hetimit. Askush nuk ndihet para një akti të tillë kriminal.

Institucionet të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë në mënyrë që uji të jetë ujë dhe jo helm për banorët e Shupenzës  zonë ku burimet natyrore janë aq të shumta sa nuk mund të lejohet për asnjë arsye korruptive një akt i tillë kriminal. Organet e drejtësisë të hetojnë një orë e më parë për këtë ngjarje të përsëritur e të nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit që po ju kushton shëndetin banorëve të Bulqizës. Është koha për të vepruar dhe jo për të heshtur” tha Dhurata Çupi./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!