Superiorja vijon rrugëtimin, ndërkohë që në javën e 14-t janë disa futbollistë që duhet të ndalen për shkak të kartonëve të verdhë, apo edhe të kuq. Vllaznia kryesuese nuk do të ketë të gatshëm sulmuesin Ardit Hoxhaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq kundër Teutës.
Veç tij, edhe kapiteni Erdenis Gurishta duhet ta ndjekë ndeshjen me Kukësin nga tribuna ose televizori. Mbrojtësi i djathtë ka katër kartonë të verdhë, po aq sa Besir Demiri i rivalëve, që nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Rraman Hallaçi.
Me mungesa do të shkojë edhe Laçi në Fier. Musta u ndëshkua me karton të kuq, kurse Adolf Selmani ka plotësuar numrin e të verdhëve. Fierakët ndërkohë duhet të bëjnë pa portierin Harizaj, gjithashtu i pezulluar.
Tirana kundër Kastriotit nuk ka Danson, i ndëshkuar me të kuq kundër Bylisit. Këta të fundit shkojnë në Durrës pa një titullar të rëndësishëm. Edison Ndreca mori të verdhën e katërt në sfidën e fundit, sikurse bëri edhe Hektor Idrizaj që i mungon Partizanit në Korçë kundër Skënderbeut. /abcnews.al