Ilir Daja, trajneri i Partizanit, pas ndeshjes që “demat e kuq” luajtën kundër Apolonisë, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Ai analizoi gjithçka ndodhi në fushën e blertë dhe iu përgjigj edhe pyetjeve të ndryshme të gazetarëve në panel.
“Dua t’i qëndroj asaj që mbas ndeshjes nuk dua të bëj moviolën e situatave. Duhet të bënim më mirë dhe ndoshta nuk e zgjidhëm saktë pasi nuk e kishim ndërtuar manovrën e sulmit drejtë. Situatat e krijuara duan sakrificë përpara portës, në kushte të tillë me shi nuk zgjidhen me teknikë.
Në 10 minutat e fundit kemi bërë gjithçka gabim, edhe pse nuk dua të krijoj alibi te lojtarët e mi. Natyrshëm që ka raste kur ekipi nuk funksionon. Në situata të tilla pritet një zgjidhje, e bëmë me golin e Carës. Nuk ishte orientimi ynë për t’u tërhequr pas.
Na mungojnë zëvendësimet natyrale në mbrojtje dhe mesfushë. Nuk e zgjidhëm mirë, me lojtarët që kemi duhet të mbanim topin shumë më tepër në këmbë, në mënyrë që të mos i krijonim mundësi Apolonisë që të na penalizonte në minutën e fundit.
Na duhet të ndërhyjmë ne merkato, edhe pse janari nuk afron mundësi për lojtarë cilësorë. E dimë, por kemi marrë dy lojtarë cilësorë (Junior dhe Murataj). Në merkaton e janarit mund të bëhen gabime, kështu që nuk duam të nxitohemi.
Na duhet të kemi dublime në role, sidomos në mbrojtje. Vetëm tre ndërrimet e para i kemi bërë në kohën e duhur, të tjerat i vonuam sepse nuk kishim mbrojtës në stol. Duhet të dublojmë repartin e mbrojtjes në merkato. Të freskojmë ekipin pa prishur rolet natyrale.
Melo? Jam i kënaqur me përpjekjet që bëri për të qenë pjesë e manovrës. Nga Melo pritet një tjetër cilësi loje, por jam i kënaqur në aspektin e motivimit. Do na ndihmojë në të ardhmen nëse do të vazhdojë kështu. Lojtarët duhet të japin maksimumin kur futen në fushë.
Nuk ka ndeshje të lehta, Apolonia e vendit të fundit na hapi shumë probleme në minutat e fundit. Lojtarët ka raste kur motivohen më shumë me ekipet e forta në letër. Sot kishim shansin të mbanim distancën me 7 pikë. Vllaznia e ka merituar distancën me të tjerët, do vazhdojmë punën tonë dhe do të jemi shumë aktivë në merkato për të përforcuar këtë grup që kemi“, përfundon Daja. /abcnews.al