50 vjetori i lindjes është moment i bilancit edhe për një nga aktoret më të paguara të Hollivudit, Julia Roberts. Tashmë e përkushtuar ndaj familjes, aktorja fituese e çmimit Oscar dhe e roleve të spikatura shfaqet e lumtur me jetën e saj.
Sapo ka shuar 50 qirinjtë e ditëlindjes dhe nuk e kam humbur buzëqeshjen e saj emblematike. Julia Roberts e festoi një gjysëm shekulli jetë pa u trembur nga vitet që kalojnë edhe pse në Hollivud koha ikën me ritme edhe më të shpejta. “Nuk jam e fiksuar nga ideja e bukurisë me çdo kusht edhe pse e shoh ndryshimin në pasqyrë”, ka deklaruar Roberts në një intervistë për emisionin e mëngjesit në CBS. “Ka vetëm një mënyrë për të mos u bërë 50 vjeç, pra unë po i mbush 50 vjeç” ka thënë ajo.
Duke parë pas ndër vite jo thotë se nuk do donte të ishte prapë 20 vjeçe e sidomos në këtë peridhë. “Do ishte e tmerrshme”, thotë Roberts. “Në fillimet e mia nuk ka pasur kaq shumë gazeta e televizione që merren me gossip” sqaron Roberts që duket e kënaqur me procesin e plakjes. “Dikush ka thënë se deri në 40 vjeç, i vesh jetës fytyrën tënde, ndërsa më pas, jeta i vishet fytyrës, ç’ka më bën mua të kem një fytyrë të këndshme sepse jam e lumtur me jetën time”, vijon Xhulia, prova e gjallë se karriera e një aktoreje nuk mbaron me kalimin e viteve. Madje thotë ajo shumë role interesante vijnë pikërisht me pjekurinë e moshës. Dëshmi është edhe filmi i saj më i fundit “Wonder” që del në kinematë amerikane më 17 nëntor e në Europë në fund të dhjetorit, që tregon historinë e një fëmije, tiparet e të cilit janë deformuar nga një sëmundje e rrallë. Madje ky film mund të jetë ndër kandidatët për Oscar.
Karriera e Julia Roberts ka nisur në fund të viteve 80 me filmin “Mystic Pizza”. Por fama ndërkombëtare i erdhi disa vite më vonë, në 1990 kur krahas Ricard Gere pati një sukses planetar me filmin “Pretty Woman”. Ky film i hapi dyert e Hollivudit dhe i dhuroi kandidimin e parë për çmimin Oscar. “Kur dëgjova të përmendej emri im ditën e shpalljes së kandidatëve për Oscar, i thashë vetes: ndoshta nuk jam kot, mbase jam e aftë të aktroj me të vërtetë”.
Julia Roberts ia doli të merrte një dekadë më vonë çmimin Oscar, me rolin e Erin Brokoviç, në filmin me të njëjtin titull me temë problemet e ambientit. “Unë vetë jam rritur në epokën e konsumimit por tani gjërat duhet të ndryshojnë. Po përpiqem t’i edukoj fëmijët e mij me ndryshimin. Ata janë e ardhmja e për ta e ardhmja duhet të jetë ndryshe nga e tashmja” shprehet Julia. “Bota po bëhet sipërfaqësore, kaotike e aspak e këndshme”, thotë ajo.
E përmbushur edhe në jetën familjare, Julia Roberts është martuar prej 15 vitesh me kameramanin Daniel Modler, me të cilin ka tre djem, 2 binjakë 12 vjeçarë dhe një më të vogël 9 vjeçar. Thotë se merr më shumë satisfaksion në rolin e nënës, ndërsa i duket detyrë më e lehtë aktrimi. “Tani jam nënë pothuaj me kohë të plotë e më pëlqen, por është më e vështirë se aktrimi dhe dita është shumë më e gjatë”, rrëfen ajo.
Julia Roberts bën bilancin e 50 viteve të saj
schedule12:39 - 29 Tetor, 2017
schedule 12:39 - 29 Tetor, 2017