Shtetet e Bashkuara kanë riaktivizuar të hënën sanksionet ndaj Iranit, përmes të cilave synojnë rrënimin e ekonomisë së këtij vendi. Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar me pasoja të rënda personat apo institucionet që shkelin masat e tij.
Administrata amerikane ka riaktivizuar sanksionet ndaj Iranit, me shpresën se ato do të dëmtojnë rëndë ekonominë e Republikës Islamike dhe do ta detyrojnë atë të pranojë kushtet e Uashingtonit në lidhje me programin bërthamor. Sanksionet hyjnë në fuqi në orët e para të së martës dhe do të vënë në shënjestër blerjen e dollarit amerikan nga Irani, tregtinë e metaleve, mineraleve, softëare-ve dhe automjeteve. Valuta e Iranit ka humbur gjysmën e vlerës së saj që prej muajit prill, kur nisën dhe kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për riaktivizimin e masave penalizuese.
Zhvlerësimi i monedhës vendase dhe ngritja e inflacionit kanë shkaktuar protesta sporadike të qytetarëve kundër qeverisë, të cilën e akuzojnë për korrupsion në një kohë kur ata po varfërohen. Administrata e presidentit Trump synon të bllokojë të gjitha burimet e lidershipit iranian dhe planifikon të rivendosë sanksione më të dëmshme ndaj naftës iraniane në nëntor. Por strategjia e sanksioneve amerikane ka edhe ajo pikën e saj të dobët, që ka të bëjë me ngurimin e Europës dhe Kinës për të ndërprerë lidhjet tregtare me Republikën Islamike. Bashkimi Europian ka shprehur të hënën keqardhjen e tij për riaktivizimin e sanksioneve, por të njëjtën ditë, presidenti Trump ka paralajmëruar me pasoja të rënda personat dhe entitetet që nuk do të ndihmojnë në rrënimin e ekonomisë iraniane./abcnews.al