Ademi: Situatë e rënduar pas reshjeve në Shkodër, gati strukturat për evakuim

schedule13:12 - 8 Janar, 2021

schedule 13:12 - 8 Janar, 2021

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka folur në një intervistë në ABC lidhur me situatën e krijuar në Shkodër pas reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë vendin prej ditësh së djeshme. Ademi deklaroi se ka një rritje në lumenjtë Drin dhe Bunë me nga 50 cm si dhe në Liqenin e Shkodrës me 30 cm.

“Sot në mëngjes jemi zgjuar me një situatë të përkeqësuar të prezencës së ujit në disa zona. Ka një rritje në Drin dhe në Bunë me nga 50 cm dhe 30 cm në Liqenin e Shkodrës. Nuk kemi probleme në qytet me qarkullimin. Në Obot, Murriqan, Velipojë ka toka të përmbytura.

1630 hektarë tokë të përmbytura dhe dëm në grurë dhe bimë dekorative. Nuk ka banesa të përmbytura por vetëm prezencë të ujit në oborr. Nëse do kemi rritje të kuotës do kemi probleme”, tha Ademi.

Ajo u shpreh se janë gati strukturat për akomodim në rast evakuimi nga zonat problematike si dhe depot ushqimore. “Ne jemi përgatitur për përballimin e emergjencës. Duam të kemi informacion të saktë në lidhje me shkarkimet. Pjesa që lidhet me furnizimin me ujë të pijshëm do fillojmë operimin në Dajç dhe në anën e Malit.

Kemi gati struktura për akomodim dhe ushqime. Jemi përgatitur edhe me pako higjenike duke qenë se jemi në kohë pandemie. Ka ardhur një mjet nga ushtria që kryen transportin e atyre që duan të lëvizin nga një zonë në tjetrën”, u shpreh Ademi./mv.abcbews.al