Junior e Murataj “dema”, Daja: Forcimi i mbrojtjes fokusi ynë, largimet me dy kushte

schedule11:20 - 8 Janar, 2021

schedule 11:20 - 8 Janar, 2021

Partizani pret Apoloninë ditën e nesërme (16:45). “Demat” e Ilir Dajës e nisin vitin 2021 përballë fierakëve të vendit të fundit. Shumëkush mendon se bëhet fjalë për një sfidë të lehtë dhe fitore të sigurt, por trajneri i Partizanit mendon ndryshe dhe fton djemtë e tij të vlerësojnë maksimalisht kundërshtarin.

Do uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët, sidomos për komunitetin e futbollit. Më kujtohet shprehja ‘ishim mirë kur ishim keq’, sepse merkato e janarit nuk të krijon shumë alternativa, edhe pse kemi bërë dy goditje sapo u zhbllokua merkato.

Kanë qenë të piketuar disa pozicione, vazhdojnë të jenë të piketuar. Duam të dublojmë rolet, mendoj se kjo është problemi më i madh, sepse kampionati ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

Presioni? Të drejtosh Partizanin sigurisht që do e kesh presionin, pasi pritshmëritë janë maksimale dhe është një nga klubet më të titulluara në Shqipëri. Nuk është se nuk e kemi pasur presionin nën vete, edhe në ekipe të tjera që kanë patur problematika më të mëdha se bllokimi i merkatos.

Nuk ka qenë pjesë e justifikimit, nuk jam nga ata trajnerë që justifikohen. Kërkoj të marr maksimumin gjatë gjithë kohës me ata lojtarë që kam në dispozicion. Hapja e merkatos është një lajm i mirë. Do ketë ngjeshje, terrenet rëndohen, shpresoj të kemi dëmtime sa më të pakta. Do kërkojmë që, të paktën, të dublojmë rolet me lojtarë që të jenë të përshtatshëm për Partizanin.

Deri në këtë moment kemi dy lojtarë të afruar zyrtarisht te Partizani; një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues i pastër. Kemi 4 mbrojtës, por do e gjejmë mundësinë të përforcojmë këtë repart. Nuk duam të nxitohemi dhe të bëjmë gabime që do na kushtojnë në të ardhmen, në kosto dhe në cilësi.

Largimet? Të gjithë janë nën kontratë me Partizanin, do të jetë politika e klubit që do të shqyrtojë kërkesat në dalje. Nuk duam vetëm një Partizan sot për sot. Që të kemi një garanci edhe për të ardhmen, natyrshëm që politika e klubit duhet të shohë edhe bilancet.

 

“Demat” duke festuar një gol

Nuk mundet vetëm të shpenzojmë pa fund dhe të mos kemi merkato në dalje. Kur bëhet fjalë për emra si Solomon dhe Asani, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Vetëm nëse klubi merr një bonus financiar dhe lojtari, paralelisht, shkon në një kampionat ku mund të zhvillohet vetë në mënyrë individuale, atëherë do të bëhet e mundur të kemi merkato në dalje.

Vëmendjen kryesore e kemi te përforcimi i repartit të mbrojtjes. U ndje mungesa e Hakajt, ndaj Laçit adoptuam një lojtar mesfushor me tipare sulmuese, siç është Balla. Mungesa e Belicës është mungesë edhe më e rëndësishme, është zëvendëskapiteni i ekipit.

Belicën e kemi mbuluar me Brojën, i cili është mesfushor. Neve jemi të fokusuar te prurjet në repartin e mbrojtjes, që duhet të jenë të mirë studiuara, në mënyrë që marshi i gabimit të jetë sa më i ulët dhe i vogël që të jetë i mundur.

Deri tani janë afruar Stenio Junior dhe Murataj. Për emrat që janë në bisedime me klubin, nuk mund t’i përmend. Çdo gjë bëhet zyrtare kur vendoset firma në kontratë. Janë disa pista, po kontaktohet me lojtarë të ndryshëm.

Apolonia? Kishim një rezultat negativ në Laç, nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha nesër. Afrimet nuk janë bërë akoma pjesë e ekipit, ata duan kohën e vet për t’u përshtatur me manovrën tonë. Kontingjenti është pak më i freskët, kemi rikuperuar energji dhe besoj se ritmi do të jetë ndryshe nga ndeshjet e fundvitit të kaluar.

Çdo staf ka mendësinë e vet. E kemi studiuar Apoloninë, duke parë cilësitë individuale të lojtarëve. Sa i përket manovrës, do e marrim si informacion direkt gjatë ndeshjes. Çdo staf i ri që vjen kërkon të instalojë mendësinë e vet taktike. Na ngelet të lexojmë nesër se çfarë bën kundërshtari në të dy fazat e lojës.

Nëse do të bënim këtë gjë, pra nëse mendojmë se është lehtësim sfida me Apoloninë, do të gabonim. Është i njëjti ekip Apolonia, por me një staf të ndryshuar. Nuk ka shumë diferenca në kampionatin shqiptar, çdo ndeshje që duhet të fitohet, duhet të shkohet drejt sakrificës dhe motivimi duhet të jetë shumë i madh“, përfundon Daja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!