Parashikimet për përmbytje në Shkodër, Meta thirrje: Urgjentisht të merren masa!

schedule15:15 - 7 Janar, 2021

schedule 15:15 - 7 Janar, 2021

Presidenti Ilir Meta duke u nisur nga parashikimet e sinoptikanëve për përmbytje në zonën e Shkodrës i ka bërë thirrje qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse që të marrin masa urgjentisht.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit kërkon që të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze.

Mes të tjerash Meta shprehet se duhet informimin me transparencë, garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore, vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune.

E plotë:

Prej ditësh, Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka dhënë paralajmërimin për një përkeqësim potencial të situatës hidrometeorologjike në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në ultësirën veriperëndimore, si dhe në zonat nga Shkodra në Fier.

Ndërkohë, stacionet hidrologjike në Kaskadën e lumit Drin, bëjnë me dije se për shkak të intesitetit të reshjeve, priten shkarkime të mëdha nga HEC-et dhe për pasojë parashikohet të ketë përmbytje në zonën e Shkodrës.

Në këto kushte, i bëj thirrje Qeverisë, ministrive përgjegjëse, prefekturave dhe bashkive në zonat me rrezikshmëri të lartë përmbytjeje, të marrin në konsideratë këto paralajmërime serioze dhe të garantojnë urgjentisht:

? – Informimin me transparencë dhe në kohën e duhur të popullatës, që jeton në zonat me rrezik potencial përmbytjeje, me qëllim garantimin e jetës dhe minimizimin e pasojave në prona e bagëti;

? – Garantimin me rezerva të mjaftueshme ushqimore për popullatën dhe blegtorinë;

? – Vendosjen e hidrovoreve në regjim gatishmërie pune, me kapacitet të plotë;

? – Vënien në gatishmëri të strukturave të koordinimit, menaxhimit dhe atyre operacionale, me qëllim marrjen e të gjitha masave parandaluese për minimizimin e riskut në zonat më të ekspozuara ndaj rrezikut;

? – Gatishmërinë e strukturave operacionale, grupeve të kërkim-shpëtimit, mjeteve ajrore dhe mjeteve lundruese,  për garantimin në çdo kohë të operacioneve efektive, në çdo zonë, që rrezikohet nga përmbytjet;

? – Marrjen e masave për kalueshmërinë normale në të gjitha akset rrugore, veçanërisht në Veri, Verilindje dhe Juglindje, që rrezikohen të bllokohen nga reshjet e dëborës dhe rrëshqitjet e dheut apo gurëve.

Mbrojtja e shëndetit, jetës dhe pronës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë është një detyrim kushtetues, që duhet përmbushur me përgjegjshmëri maksimale.