Ambasadorit të Kanadasë në Arabinë Saudite i janë lënë vetëm pak orë kohë për t’u larguar nga vendi. Vendimi është marrë nga autoritetet në vend që akuzojnë Kanadanë se po ndërhyn në çështje të brendshme.
Arabia Saudite ka dëbuar ambasadorin e Kanadasë dhe ka pezulluar investimet dhe marrëveshjet e reja për tregti me këtë shtet, duke akuzuar Otaua për ndërhyrje në çështjet e brendshme.
Në një deklaratë për mediat të ministrisë së jashtme shkruhet se mbretëria e Arabisë Saudite nuk do të pranojë ndërhyrje në çështjet e brendshme, pasi Ambasada e Kanadasë në Riad ka bërë thirrje për lirimin e disa aktivistëve të burgosur. Arabia Saudite do të “pezullojë të gjitha transaksionet e reja në tregti me Kanadanë, duke ruajtur të drejtat e saj për të marrë vendime të mëtutjeshme”, është thënë në deklaratë. Mbretëria i ka dhënë kohë prej 24 orësh përfaqësuesit kanadez për t’u larguar nga shteti teksa ka kërkuar kthimin e ambasadorit të saj nga Kanadaja. Zyra e Jashtme e Kanadasë ka publikuar një deklaratë më 3 gusht, në të cilën thuhej se “Kanadaja është thellësisht e shqetësuar për arrestimet e pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe aktivistëve për të drejtat e grave në Arabinë Saudite, duke përfshirë Samar Badaui.
Vëzhguesi për të Drejtat e Njeriut ka thënë më 1 gusht se autoritetet saudite kanë arrestuar dy aktiviste të njohura për të drejtat e grave të cilat për vite kanë bërë fushatë për të drejtat e grave, duke kërkuar mes të tjerave dhe të drejtën për t’i dhënë makinës.
Trashëgimtari i fronit, Princi Saudit, Muhammad bin Salman, pati premtuar se do të hapë ekonominë e shtetit konservativ dhe se do të lehtësojë politikat kulturore. /abcnews.al