Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvajti dhe Iraku janë vendet ku Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse, në kuadër të misionit të Gardës Kombëtare të Ajovas, të Ushtrisë Amerikane. Ai e konfirmoi këtë pas një vizite që i bëri FSK-së.
Hoti tha se këto vende kanë qenë si opsione që janë shqyrtuar dhe se tani pritet konfirmimi zyrtar.
Sipas tij, FSK-ja mund të dërgohet në këto misione në muajin mars.
Ndërkohë të martën, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin e qeverisë për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit. Me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët dhanë miratimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse, në kuadër të Forcës Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës.
Ndërsa ambasada Amerikane përmes një reagimi ka thënë se votimi unanim i Kuvendit për lejimin që Forca e Sigurisë së Kosovë të ketë partneritet më Ushtrinë e SHBA-së në misionet e ardhshme paqeruajtëse, demostron se Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj të përbashkët për paqen dhe sigurinë në botë.
Më 31 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Ajovës. Ky vendim më pas i ishte dërguar Kuvendit të Kosovës.
FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit./abcnews.al

