Mario Mitaj, mbrojtësi i Shqipërisë U21 dhe AEK në Greqi, është rrëfyer për “fshf.org” dhe flet për fillimet e tij në futboll, synimet, idhujt dhe për emocionet që ka përjetuar me fanellën kuqezi. Mes të tjerash ai veçon edhe momentet më të bukura që ka përjetuar deri më tani dhe shpreson që të arrijë sa më lart në botën e futbollit.
FILLIMET NË FUTBOLL – “Mbaj mend që kam qenë një fëmijë i fiksuar pas futbollit. Kudo ku shkoja, mbaja një top me vete, megjithëse nuk dija të luaja mirë. Kisha shumë dëshirë të luaja dhe shtysa ime kryesore ka qenë babai, i cili duke dashur që unë të ndjek futbollin, më regjistroi në një skuadër në moshën 6 vjeçare. Që prej asaj dite, jam bërë njësh me fushën e lojës”.
FTESA NGA SHQIPËRIA – “Trajneri Alban Bushi më ftoi për herë të parë në ndeshjet e nëntorit. Jam ndjerë realisht shumë mirë, pasi duke qenë më i vogli i grupit, të gjithë çunat më kanë afruar dhe nuk më kanë lënë mënjanë. Gjithashtu, në të dyja ndeshjet kam pasur minutat e mia, duke u aktivizuar si titullar.

Kjo më kënaq dhe më jep forcë që të bëj më mirë. Edhe me skuadrën e AEK jam realisht shumë i kënaqur. Kam bërë paraqitje shumë të mira, për të cilat edhe vetë ndihem krenar, pasi jam ende i vogël në moshë. Po punoj shumë që të përmirësohem edhe më shumë, dhe pse jo, në të ardhmen të kem vendin tim në formacion”.
EMOCIONET SI KUQEZI – “Ftesa nga Kombëtarja normalisht që është diçka e veçantë dhe më ka gëzuar jashtë mase. Sa i përket debutimit, ka qenë realisht diçka të cilën nuk e përshkruaj dot me fjalë, që nga momenti kur kemi hyrë në fushë për të kënduar himnin, e deri në momentin kur kam dalë nga fusha. Çdo sekondë ia ka vlejtur dhe ka qenë i mbushur me emocione”.
ECURIA E SHQIPËRISË U21 – “Jo se jam pjesë e ekipit, por vërtetë kemi një skuadër të mirë. Besoj se në pak vite do jetë shumë më lart se tani. Problemi i vetëm që ndoshta kemi, është se shumë prej nesh luajmë në kampionate të ndryshme dhe kemi strategji loje të ndryshme.
Gjithsesi për këtë mendon profesor Albani, i cili na lehtëson punën dhe arrin të na përshtatë me njëri-tjetrin në fushë. Ne kemi dëshirën dhe pasionin për të luajtur, ndërsa trajneri përveç këtyre, mendon edhe mënyrat e ndryshme se si të luajmë dhe fitojmë”.

MOMENTET MË TË BUKURA – “Një ndër momentet e mia më të lumtura kur shënova gol kundër Malit të Zi në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ia dedikova njerëzve të mi të afërt, gjyshit tim Vasel dhe xhaxhait Nikolin, që kishin ardhur në stadium të më ndiqnin.
Ka qenë një ndeshje miqësore me Kombëtaren e moshave. Ndërsa këtu në Greqi, një nga momentet më të bukura ka qenë kur kam debutuar me AEK-un, si dhe si lojtari më i ri që kam debutuar në Europë me AEK”.
OBJEKTIVAT DHE IDHUJT – “Nëse do ta përmblidhja me një fjalë, padyshim që synimi im për të ardhmen është dhe do të vazhdojë të jetë futbolli. Dua të përkushtohem maksimalisht në futboll dhe të eci sa më lart. Idhujt? Do të përmend dy lojtarë, pasi për pozicionin që unë kam në fushë, shoh si shembull dhe kam idhull Marcelon e Real Madrid. Ndërsa lojtari im i preferuar, padyshim Lionel Messi”. /abcnews.al

