Një ditë para skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe, presidenti Aleksandar Vuçiç u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të shmangin aktet e dhunës. Në të njëjtën linjë, BE i ka bërë thirrje si Prishtinës edhe Beogradit që të shmangin tensionet në terren.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u është drejtuar me një letër serbëve të Kosovës, duke u kërkuar atyre shmangien e akteve të dhunës. Në letrën e tij, Vuçiç ka deklaruar se përsa kohë ai do të jetë në krye të shtetit do të garantojë mbrojtjen e tyre dhe të objekteve të kultit. Apeli i presidentit serb vjen një ditë para skadimit të afatit për krijimin e Shoqatës së Komunave Serbe në veri të Kosovës. Vuçiç ka akuzuar Prishtinën se nuk do të ndërmarrë asnjë hap për realizimin e këtij projekti. “Të gjitha paralajmërimet dhe dyshimet që unë kam shprehur gjatë gjithë kohës janë duke u konfirmuar. Prishtina as këtë herë nuk do të lëvizë as gishtin e vogël për formimin e Shoqatës”, ka thënë Vuçiç. Ndërkohë, një apel të ngjashëm, por duke iu drejtuar njëkohësisht Prishtinës dhe Beogradit ka bërë edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini. “BE pret që ashtu sikurse kanë rënë dakord dy presidentët në takimin e 18 korrikut në Bruksel, në terren të mos ketë tensione që do të minonin objektivin e përbashkët të normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në një komunikatë të zyrës së Mogherinit./abcnews.al