U arrestua dy ditë më parë, 30-vjeçari arratiset nga Komisariati në Tiranë

schedule09:02 - 4 Janar, 2021

schedule 09:02 - 4 Janar, 2021

Një person i arrestuar është arratisur nga Komisariati numër 1 në Tiranë, mëngjesin e sotëm. Gazetarja Glidona Daci raporton se është arratisur Rigers Lala, 30 vjeç, i cili është prangosur për armëmbajtje pa leje.

30-vjeçari u arrestua dy ditë më parë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet, nga forcat “Shigjeta”. I riu u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Policia në një komunikatë zyrtare sqaroi arrestimin e të riut, ku sipas bluve Lala u lokalizua pas bashkëpunimit me qytetarët dhe u arrestua në flagrancë.

Mësohet se 30-vjeçari është arratisur në momentin kur e kanë dërguar për t’i marrë gjurmët e gishtave. Pas kësaj procedure i riu do të dërgohej në gjykatë, ku do të njihej me masën e sigurisë.

Nga ana tjetër SHÇBA ka nisur hetim për efektivin që shoqëronte Lalën, ndërsa është ende e paqartë si ka mundur t’i ikë.

Njoftimi i policisë për arrestimin:

Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia lokalizon dhe vë në pranga 30-vjeçarin.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.

Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit.

Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

g.v/abcnews.al