Humbja 1-2 ndaj Strug Trim Lum (16 dhjetor) solli fundin e aventurës së Umit Karan në stolin e Shkupit. Drejtuesit e klubit shqiptar që garon në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, shkarkuan trajnerin turk.
Bardhekaltrit nuk po nxitohen për të zyrtarizuar pasuesin e Karan, teksa sportmedia.mk zbulon dy kandidatët. I pari është një tjetër trajner turk, Hasan Özer. 46-vjeçari ka punuar si trajner i dytë për ekipe si Maniasaspor, Gaziantepspor, Bursaspor, Gaziantep BB, Rizespor, Kayserispor dhe Malatyaspor.
SI trajneri i parë ka punuar te boshnjakët e Celik Zenica, ekip të cilin e drejtoi për 6 ndeshje gjatë periudhës qershor-gusht të vitit 2019. Kandidati tjetër është Mladen Zizovic. Ky i fundit njihet në Superiore, pasi gjatë vitit 2010 u aktivizua me Tiranën.
40-vjeçari ka drejtuar më parë ekipet boshnjake të Radnik Bijelj dhe Zrinjski Mostar. Me këta të fundit i dha fund bashkëpunimit më datë 26 dhjetor të vitit të kaluar. Shkupi renditet në vend të dytë në kampionat me 33 pikë, 6 më pak se kryesuesit e Shkëndijës së Tetovës. /abcnews.al