Interi luan tenis me Crotone. Zikaltrit fituan me rezultatin 6-2, edhe pse pësuan të parët. Lautaro Martinez ishte në super formë, duke shënuar tre gola. Lukaku dhe Hakimi realizuan dy gola të tjerë, kurse njërin e realizuan vetë miqtë e Crotone.
NDESHJA – Inter-Crotone nisi me vrull, me miqtë që shënuan të parët pas vetëm 12 minutash lojë. Zanellato, pas një skeme të bukur, me kokë ndëshkoi portierin Handanovic. Interi nuk mund ta pranonte rezultatin dhe barazoi shpejt me Lautaro Martinez, kurse Marrone më pas shënoi në portën e tij dhe zikaltrit e panë veten në epërsi.
Pesë minuta zgjati festa e skuadrës së Conte, pasi Vidal shkaktoi penallti dhe Golemic barazoi. 2-2, rezultat me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes. Në të dytën Interi kishte një marsh tjetër dhe realizoi edhe katër herë të tjera në portën e Crotone.
Martinez riktheu epërsinë, Lukaku plotësoi “pokerin” dhe argjentinasi u shfaq sërish në skenë me një gol të realizuar me kokë. Nuk mjaftoi “shuplaka”, pasi Hakimi ndëshkoi skuadrën mike me golin e gjashtë, që ishte I fundit në këtë përballje që i jep Interit tre piket dhe e ngjit për momentin në vendin e parë në pritje të Milanit që përballet me Beneventon. /abcnews.al