Vettingu, konfirmohet në detyrë prokurori Gentian Osmani

schedule12:38 - 2 Gusht, 2018

schedule 12:38 - 2 Gusht, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë Gentian Osmanin, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në seancën dëgjimore në KPK, edhe ILDKPKI-ja kishte raportuar se Osmani kishte kryer deklarim të rregullt periodik dhe se nuk kishte fshehje të pasurisë.

“Trupa gjykuese vendosi konfrimimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Gentian Osmani”.

Ky ishte vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani. Sipas raporteve të KPK-së, Osmani nuk kishte probleme me pasurinë, duke u konfirmuar edhe nga DSIK për pastërtinë e figurës dhe përshtatshmërinë për të qënë prokuror. Osmani është kandidat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa pas vendimit, prokurori deklaroi se do të vijojë të hetojë çështje sensitive.

“Do vazhdoj që të hetoj çështje sensitive deri në momentin që do shpallet gara për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe do jepen rezultatet. Mësimi që morëm nga ky proces është të jemi tmerrësisht të kujdesshëm dhe mo të tolerojmë asgjë në profesionin tonë”, tha Gentian Osmani.

E vetmja pikëpyetje që u ngrit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit lidhur me pasurinë e tij, ishte shlyerja e një huaje marrë kunatit të tij, për të cilën komisioni ngriti dyshime. Por magjistrati dha shpjegime të vlefshme, duke kaluar fazën e Vettingut.

Ndërkohë për dy shtyllat e tjera, si figura morale e aftësitë profesionale komisioni nuk gjeti shkelje. Osmani ka qenë një prej tre emrave kryesorë bashkë me Besim Hardarmatajn dhe Elisabeta Imerajn, të cilët kërkuan arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri në Tetor të 2017. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!