Marrin fund zënkat me trajnerin Daja, Cordeiro kthehet në skuadër

schedule09:28 - 30 Dhjetor, 2020

schedule 09:28 - 30 Dhjetor, 2020

Partizani luan sot një sfidë shumë të vështirë në transfertë ndaj Laçit. Ditët e fundit trajneri Ilir Daja është kthyer të drejtojë ekipin, pas një gjendje virale të kaluar, e cila fatmirësisht rezultoi të ishte vetëm një grip i stinës dhe jo Covid-19.

Tashmë trajneri i të kuqve po mendon të hartojë rreshtimin e betejës së sotme dhe nga zhvillimet e fundit mund të themi se do të kthehet në skuadër një lojtar shumë i përfolur gjatë ditëve të fundit, William Cordeiro.

 

Solomon është i pezulluar dhe i vetmi anësor në dispozicion të trajnerit është i riu Tedi Cara. Kështu, Cordeiro pritet të jetë në ekip ditën e sotme, por vështirë ta nisë nga minuta e parë. Në dy ndeshjet e fundit braziliani nuk është grumbulluar fare.

Ai kishte zënka me trajnerin Daja pas një deklarate të bërë nga tekniku, që kritikoi direkt anësorin. Pas kësaj Cordeiro paralajmëroi largimin nga Partizani, por vetë Daja i vuri kapakun kësaj çështje, kur u shpreh se asnjë lojtar i të kuqve nuk do largohet në janar. /abcnews.al